Në Maqedoni për disa vite ekziston Komisioni për lustrim të funksionarëve dhe që atëherë është përdorur kundër funksionarëve që nuk janë me pushtetin. Për këtë çështje ka folur edhe ambasadori i mbretërisë së Hollandës në Maqedoni Wouter Plomp i cili ka thënë se ky institucion nuk guxon të përdoret për hakmarrje politike, përcjell Telegrarfi Maqedoni.
“Hakmarrja nuk guxon të sundoj ndaj procesit të demokracisë”, u shpreh Wouter Plomp, ambasador i Holandës në Maqedoni.
Instituti për të drejtat e njeriut , ka kërkuar revidim urgjent të Ligjit për lustrim dhe detektim të anëve negative të procesit. Ata theksojnë se procedura e deritanishme nuk zbardhi se cilët persona kanë bashkëpunuar me shërbimet sekrete dhe me këtë kanë cenuar të drejtat e njeriut dhe liritë e individëve.
Përkundrazi, procesi ka qenë instrument për qërimin e hesapeve me kundërshtarët politik që është në kundërshtim me Deklaratën Universale për të Drejtat e Njeriut, Konventën Evropiane për të drejtat e njeriut dhe Kushtetutën e Maqedonisë, thonë nga ky Institut.
Prej atje thonë se shfuqizimi i ligjit nuk i mënjanoi aspektet negative, por shkaktoi paqartësi të reja, ndërsa nuk u shmangën as pasojat e revanshizmit politik. Për ambasadorin holandez, i tërë procesi i lustrimit është i vonuar dhe është dashur të zbatohet pas fundit të sistemit të më hershëm. Ai theksoi se lustrimi nuk guxon të keqpërdoret, sidomos ndaj personave që nuk mendojnë sikur pushteti./Telegrafi/