“Maqedonia e Veriut duhet t’i fillojë negociatat me Bashkimin Evropian, ndërsa presidenti francez Emmanuel Macron nuk duhet t’i bllokojë ato”.
Kështu shprehet ish-presidenti bullgar Rosen Plevneliev. Në një deklaratë për BGNES, ai thotë se BE duhet të sjell vendim pozitiv për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, me çka sipas tij, do ta tregojë besueshmërinë e saj dhe rolin stabilizues në Ballkan, përcjell Telegrafi Maqedoni.
“Çdo herë kam qenë kundër, kur ndonjë nga vendet-anëtare të BE-së, siç është rasti tani me Francën për shkak të arsyeve të brendshme politike, të bllokojnë zgjerimin e BE-së dhe projektet e përbashkëta që janë në interes të përgjithshëm. Të gjithë e dijmë sa e rëndësishme është Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria tani të marrin ftesë për nisjen e bisedimeve. Në momentin kur ka përplasje të forta gjeopolitike në Ballkan, BE duhet ta tregojë fuqinë dhe forcën e saj”, thotë Plevneliev.
Ai shtoi se në kohën e tij, Bullgaria ka qenë viktimë e politikave të tilla, nga ana e Holandës.
Ai i bëri thirrje Francës që të mos shikojë në luftat e brendshme politike, por ta mendojë interesin e përgjithshëm./Telegrafi/