Telegrafi

LDK reagon ndaj propozimit për pagesën e rrymës për serbët: Qeveria Kurti po ndërmerr veprime që i kundërshtonte si opozitë

Lidhja Demokratike e Kosovës ka reaguar ndaj propozimit Komisionit për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti për pagesën e energjisë elektrike në veri të vendit, duke akuzuar Qeverinë Kurti se po ndërmerr veprime të cilat i kishte kundërshtuar si opozitë.

Në reagimin e LDK-së thuhet se “Propozimi i sotëm i deputetëve të Vetëvendosjes në Komisionin për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti që KOSTT të mbulojë shpenzimet e energjisë elektrike për konsumatorët në veri të vendit tregon qartë që Qeveria Kurti po ndërmerr të gjitha veprimet që i kishte kundërshtuar në të kaluarën”.

“Lëvizja Vetëvendosje, sa ishte parti opozitare, për disa vite rresht e me plot ngulm kishte kundërshtuar një veprim të tillë. Madje, në kohën tonë të përbashkët opozitare, kishim bashkëorganizuar interpelancë ndaj qeverisë së PAN-it; e cila kishte nisur këtë praktikë”, thuhet në reagimin e Departamentit të Ekonomisë dhe Biznesit në LDK, përcjell Telegrafi.

LDK thotë se “tani që është në pushtet, veprimet kundërshtuese – të opozitës së dikurshme tani me pushtet absolut – duket se janë tjetërsuar në tërësi. Sërish, edhe një herë e për të satën herë në këtë fillim, premtimet e kauzat opozitare të tyre dalin të jenë mashtrim”.

“Pagesa prej 11 milionë eurove do të bëhet nga KOSTT. KOSTT është aset i qytetarëve të Kosovës; prandaj e njëjta bëhet nga xhepat e qytetarëve të Kosovës. Për më tepër, brenda këtyre gjashtë muajve Qeveria Kurti do të obligohet që përmes rishikimit buxhetor të ia kthej këto mjete KOSTT-it. Pra, pavarësisht nëse sot paguan KOSTT e pas gjashtë muajsh paguan Qeveria, paratë dalin nga pasuria e qytetarëve të Kosovës”.

Lexo po ashtu Kusari-Lila: Më mirë mjete prej KOSTT-it për rrymën në veri, sesa të na kthehen policët në arkivol

Sipas LDK-së, ky vazhdim pagese tregon poashtu se Qeveria nuk ka plan të qartë për dalje nga kjo situatë”. “Deklarata e shumicës se Qeveria dorëzohet para ligjshmërisë në Veri e frika e kthimit të ‘policëve në arkivol’ është sa skandaloze aq edhe dorëzuese; mbi të gjitha është deklaratë ofenduese për të gjitha forcat në detyrë”.

Lidhja Demokratike e Kosovës thotë se do të vëzhgojë nga afër zotimet e deputetëve të Vetëvendosjes se brenda gjashtë muajsh Qeveria Kurti do të shtrijë autoritetin dhe kontrollin në katër komunat veriore duke siguruar që qytetarët atje do të paguajnë faturat e tyre të energjisë.

“LDK poashtu përkujton të gjithë qytetarët e Kosovës se pavarësia energjetike e Kosovës është mbyllur tashmë dhe se qeveria e re duhet me profesionalizëm të mirëmbaj këtë pavarësi”, thuhet në reagimin e LDK., transmeton Telegrafi.

Komisioni për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti ka debatuar sot lidhur me pagimin e rrymës për serbët në katër komunat veriore.

Propozimi i deputetes nga Lëvizja Vetëvendosje Mimoza Kusari-Lila, i cili mori mbështetjen e Komisionit, ishte që KOSTT-i të marrë përgjegjësinë për pagesën e rrymës edhe për gjashtë muajt e ardhshëm dhe të mos obligohet Qeveria për këtë.

Ndaj, vendimit të Komisionit Parlamentar për Ekonomi, kanë reaguar edhe dy partitë e tjera opozitare PDK dhe AAK.

Në një konferencë për media, anëtari i kryesisë së PDK-së, njëherësh Kryetar i Komisionit Parlamentar për Ekonomi, Ferat Shala ka thënë se “me këtë vendim të pushtetit të ri, po dëmtohet direkt buxheti i shtetit dhe i cili shkon në kurriz të qytetarëve të Kosovës”.

Në reagimin e AAK-së thuhet se 11 milionë euro është shuma të cilën duhet ta paguajnë shumica e qytetarëve të Republikës së Kosovës, për një pakicë e cila vet dhe në bashkëpunim me Serbinë, sfidon institucionet tona. /Telegrafi/