Në disa bastisje që janë kryer në tërë territorin e Gjermanisë dhe pas intervenimit të policisë, janë arrestuar 25 persona të dyshuar për përpjekje për të përmbysur me dhunë qeverinë.
Mediat gjermane bëjnë me dije se bëhet fjalë për një grup ekstremistësh të djathtë dhe ish-pjesëtarë të ushtrisë, të cilët planifikonin të hynin në ndërtesën e parlamentit dhe të merrnin pushtetin.
Një burrë i përshkruar si princi Heinrich XIII, përmendet si person kyç për planet e tyre. Ai është 71 vjeç, transmeton Telegrafi.
Në mesin e të arrestuarve në 11 lokacione të ndryshme në Gjermani janë drejtuesit e këtij grupi, kanë bërë të ditur prokurorët federalë.
Bëhet fjalë për anëtarë të lëvizjes ekstreme Reichburger (qytetarë të Rajhut), të cilët policia gjermane i ka ndjekur për një kohë të gjatë për shkak të sulmeve të dhunshme dhe teorive raciste. Ky grup gjithashtu refuzon të njohë shtetin modern gjerman.
Vlerësohet se rreth 50 burra dhe gra, janë në grupin që planifikoi të përmbyste republikën gjermane dhe ta zëvendësonte atë me një shtet të ri të bazuar në Gjermaninë nga viti 1871, ose perandoria e njohur më mirë si Rajhu i Dytë.
“Ne ende nuk kemi një emër për këtë grup,” tha një zëdhënëse e zyrës së prokurorisë federale gjermane. /Telegrafi/