Policia e Kosovës ka njoftuar për një rast të rëndë në Fushë Kosovë, ku një person, shtetas i Serbisë ishte në përgatitje të veprës penale ‘vrasje’ dhe prezantohej rrejshëm si person zyrtar.
Policia një ditë më parë njoftoi se ka arrestuar të dyshuarin dhe gjatë kontrollit në banesën e tij janë sekuestruar dokumente të ndryshme.
Mirlinda Gashi, zëdhënëse e Gjykatës Themelore në Prishtinë tha për Telegrafin se Departamenti për Krime të Rënda ka vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarit.
“Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti për Krime të Rënda ka vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, për caktimin e masës së paraburgimit në çështjen penale kundër të pandehurit R.B., për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprat penale ‘Përgatitja e veprës penale Vrasje’, ‘Prezantimi i rremë si person zyrtar’ dhe veprën penale ‘Mashtrimi’.
Gjyqtari i procedurës paraprake ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit R.B., ashtu që të njëjtit i caktohet masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji”, tha ajo.
“Gjykata vlerësoi se janë plotësuar kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit është, pasi nëse i pandehuri R.B. lihet në liri, ekziston rreziku i ikjes së tij, duke pasur parasysh se është shtetas i Serbisë si dhe rrethanat dhe mënyrën se si janë kryer veprat penale, i njëjti mund të arratiset për t’i ikur përgjegjësisë penale si dhe mund të përsërisë veprat e njëjta penale ose të kryej sërish vepra tjera penale.
Kundër këtij aktvendimi, palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë”. /Telegrafi/