Telegrafi

Planifikohet ndërhyrja në memorialin e Skënderbeut, autori kërkon të ruhet autenticiteti i veprës

Memoriali i Skënderbeut pret t’i nënshtrohet një projekti rehabilitimi.

Memoriali i ndërtuar në vitin 1981 është amortizuar nga mos ndërhyrja prej vitesh. Në kuadër të “Vitit të Skënderbeut” u bë i ditur projekti për rehabilitimin e veprës së ideuar nga arkitekti Latif Lazimi dhe nga skulptori Odhise Paskali.

“Në vitin 1978, drejtori i Institutit të Monumenteve të Kulturës që drejtohej atë kohë nga Sotir Kosta, më thotë mund të bësh ndonjë skicë për Kishën e Shën Kollit në Lezhë, ku është varrosur Skënderbeu. Në Institut kishte dy vjet që punohej për Kishën e Shën Kollit për ta dërguar për miratim, por si dukej nuk i pëlqente komisionit që merrej me miratimin e tij. Kur paraqita skicat në komision, profesori Aleks Buda dhe skulptori i popullit Odhise Paskali thanë: kjo zgjidhje na lumturon; kjo është zgjidhja për Memorialin e Skënderbeut”, kujton Lazimi.

Autori pohon se vepra të tilla duhen mirëmbajtur.

“Memoriali është monument kombëtar dhe kërkon mirëmbajtje të vazhdueshme, por çdo projekt që do të zbatohet aty duhet të respektojë atë fillestar”, thotë ai. /Telegrafi/