Komisioneri për Zgjerim dhe Fqinjësi i Bashkimit Evropian, Oliver Varheleyi ka takuar sot shefin e ekipit negociator të Kosovës në dialogun me Serbinë, Besnik Bislimin.
Varhelyi ka bërë të ditur se me Bislimin kanë diskutuar agjendën e reformave të BE-së dhe detyrat që kanë përpara.
“Nisja e ditës me zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi duke diskutuar agjendën e reformave të BE-së dhe detyrat që kemi përpara, dhe se si Komisioni do të jetë në gjendje të ndihmojë në zbatimin e rezultateve kur dialogu Prishtinë-Beograd të jetë i suksesshëm.”, ka shkruar ai në Twitter.
Ndryshe, Kosova dhe Serbia sot do të zhvillojnë raundin e ri të dialogut në Bruksel, i pari që prej dakordimit për marrëveshjen bazë dhe aneksin e zbatimit të saj muajin e kaluar.
Sot do të takohen shefat e ekipeve negociatore, zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq nga pala serbe.
Në takim pritet të diskutohet zbatimi i neneve të marrëveshjes bazë si dhe formimi i komisionit të përbashkët mbikëqyrës për implementimin e ujdisë. /Telegrafi/
Starting the day with DPM @BislimiBesnik discussing the EU reform agenda and tasks ahead of us & how the Commission will be able to help the implementation of the results when the #Belgrade–#Pristina dialogue is successful. pic.twitter.com/QFglcv2bKF
— Oliver Varhelyi (@OliverVarhelyi) April 4, 2023