Site icon Telegrafi

Plani Shtetëror i Vaksinimit do të ndryshohet sipas nevojave, MSH thotë se do të vaksinohen edhe gazetarët si grup i rrezikuar

Raportimi gjatë pandemisë / Foto: Ridvan Slivova

Planin Shtetëror të Vaksinimit të miratuar në shkurt 2021, nuk parashihet të vaksinohen gazetarët, fotoreporterët e kameramanët të cilët i janë ekspozuar rrezikut për tu infektuar me coronavirus.

Madje, as në fazën e tretë kur sipas Planit Shtetëror të Vaksinimit, “vaksinimi do të shtrihet në pjesën tjetër prej 50% (apo 900,000 persona) të popullsisë në mënyrë që të arrije cakun prej 70% të mbulimit me vaksinim të përcaktuar nga vendi”, nuk figuron askund se do të vaksinohen punëtorët e medieve që e patën të pamundur shmangien e kontaktit me popullsinë, gjatë raportimeve në terren në më shumë se një vit përballje me pandeminë.

Përditësimi i këtij Plani do të bëhet sipas nevojave të procesit të vaksinimit dhe do të vaksinohen edhe gazetarët, kanë deklaruar nga Ministria e Shëndetësisë në një përgjigje për Telegrafin.

Sipas asaj që ishte planifikuar, Kosova për pak kohë do të mbyllë fazën e parë të vaksinimit, ndërkaq ende nuk dihet se kur do të bëhet përditësimi i planit.

“Vaksinimi kundër COVID-19 do të zhvillohet sipas Planit Shtetëror të Vaksinimit. Ky plan do të përditësohet sipas nevojave që i ka ky proces”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Shëndetësisë për Telegrafin.

Raportimi gjatë pandemisë / Foto: Ridvan Slivova

Nga Ministria e Shëndetësisë kanë thënë po ashtu se për momentin fokusi është në imunizimin e të moshuarve dhe personave me sëmundje kronike.

“Në kuadër të Planit parashihet vaksinimi i secilit grup të popullatës që duhet vaksinuar, sipas kategorive dhe fazave të ndryshme dhe, natyrisht, do të vaksinohen edhe gazetarët, por për momentin fokusi është tek të moshuarit dhe personat me sëmundje kronike”, thuhet tutje në përgjigje.

Kërkesë për për t’i përfshirë gazetarët, kameramanët dhe fotoreporterët në grupet me prioritet të lartë, të cilët do të imunizohen që në dozat e para të vaksinave të cilat i ka pranuar Kosova ka drejtuar edhe Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës në Ministri të Shëndetësisë.

“Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës – AGK, më 6 dhe 14 prill ka dërguar kërkesë në Ministrinë e Shëndetësisë për t’i përfshirë gazetarët, kameramanët dhe fotoreporterët në grupet me prioritet të lartë, të cilët do të imunizohen që në dozat e para të vaksinave të cilat i ka pranuar Kosova”, thuhet në përgjigjen e AGK-së.

Raportimi gjatë pandemisë / Foto: Ridvan Slivova

Sipas tyre, kjo kërkesë është bërë “për faktin se gazetarët kanë kontribuuar në vazhdimësi gjatë pandemisë, si me informim të drejtë, ashtu edhe në parandalimin e shpërndarjes së dezinformatave. E tërë veprimtaria e tyre është shtrirë në vijën e parë të frontit, së bashku me punonjësit e tjerë esencial. Kanë raportuar nga vatrat e infeksionit qysh prej shfaqjes së rasteve të para me COVID-19 në Kosovë, kanë mbuluar ngjarjet politike dhe sociale gjithashtu, në mënyrën më profesionale të mundshme, në ndërkohë që janë përballur me një të panjohur për të gjithë ne”, thuhet në përgjigjen e AGK-së për Telegrafin.

Kësaj kërkese, Ministria e Shëndetësisë i ishte përgjigjur më 14 prill, duke theksuar se në varësi të sasisë së vaksinave që kanë në dispozicion do të bëhet edhe planifikimi i vaksinimit të gazetarëve, për të cilën gjë AGK-ja, sipas përgjigjes së MSH-së, do të njoftohet me kohë.

Raportimi gjatë pandemisë / Foto: Ridvan Slivova

“Gazetarët vizuel nuk mund të punojnë nga shtëpia dhe janë në rrezik të lartë gjatë punës së përditshme edhe në turma të mëdha. Sipas planit të vaksinimit, gazetarët bëjnë pjesë në grupin e personave të cilët nuk mund të i shmangin kontaktit me popullatën. Varësisht nga dispozicioni i sasisë së vaksinave do të bëhet planifikimi i kohës së vaksinimit të grupeve të riskut, ku në kohë reale do të njoftoheni paraprakisht”, thuhet në përgjigjen e ministrisë ndaj AGK-së.

Lexo po ashtu MSH thirrje qytetarëve që të regjistrohen për marrjen e vaksinave antiCOVID, numri i të vaksinuarve ka arritur në 50 mijë

Ndryshe, në Republikën e Kosovës me dozën e parë të vaksinës antiCOVID tashmë janë imunizuar mbi 50 mijë persona.

Ministria e Shëndetësisë sot ka bërë thirrje qytetarëve të çdo grupmoshe, që të regjistrohen dhe të aplikojnë për marrjen e vaksinës kundër COVID-19.

MSH njofton se ditën e djeshme janë vaksinuar 4.067 qytetarë, ndërsa prej fillimit të vaksinimit janë kryer në total 50.176 doza të vaksinës kundër COVID-19. /Telegrafi/

 

 

Exit mobile version