Qeveria e Republikës së Kosovës e udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti, ka publikuar programin qeverisës 2021-2025, si dhe programin legjislativ për vitin 2021.
Sa i përket politikës së jashtme, Qeveria Kurti thotë se do të angazhohet për dialog me Serbinë, për të arritur njohjen e ndërsjelltë, transmeton Telegrafi.
“Qeveria e Republikës së Kosovës është e gatshme ta njohë ndërkombëtarisht Republikën e Serbisë nëse kjo e fundit e njeh Republikën e Kosovës dhe në veprimet dhe deklarimet e saj distancohet nga kërcënimi i Republikës së Kosovës dhe i fqinjëve të tjerë në rajon me ndërhyrje politike dhe retorikë nacionaliste e shpesh edhe raciste”, thuhet në programin e Qeverisë.
Më tej, Qeveria ka përmendur edhe partnerët ndërkombëtar dhe rolin e tyre në procesin e dialogut.
“Me partnerët e saj amerikan dhe evropian, Republika e Kosovës do të bëjë të gjitha përpjekjet për të arritur njohjen e ndërsjelltë mes Republikës së Kosovës dhe Serbisë, të mirëmbajë raporte normale të bazuara në parimin e shëndoshë të reciprocitetit, dhe të jep një kontribut të rëndësishëm për paqen, sigurinë dhe stabilizimin afatgjatë të rajonit”.
Më tej, thuhet se ” Qeveria e Kosovës angazhohet në dialogun me Serbinë me synim normalizimin përfundimtar të marrëdhënieve dypalëshe”.
“Dialogu me Serbinë zhvillohet për adresimin e çështjeve ndërshtetërore dhe fqinjësisë së mirë, dhe ka orientim kryesor përfitimet e qytetarëve nga rezultatet e dialogut ndërshtetëror. Marrëveshja finale e synuar do të ketë brenda të gjitha çështjet e pazgjidhura që nga sukcesioni i ish Federatës Jugosllave në të cilën Kosova ishte element konstituiv”.
Qeveria thekson tutje se marrëveshjet e deritanishme do të trajtohen për të parë shkallën e përmbushjes dhe ndikimin e tyre.
“Me opozitën do të bashkëbisedojmë rregullisht për të ndërtuar konsensus nacional në përgjithësi sa i përket politikës së jashtme, e në veçanti për raportin me Serbinë. Qeveria e Kosovës do të marr pjesë në dialogun me Serbinë me parime të qarta dhe me qëllimin që marrëveshja finale përveç çështjeve ndërshtetërore do të përfshijë edhe njohjen reciproke mes shteteve, njohjen nga pesë vendet e mbetura të BE-së si dhe anëtarësimin në OKB.
Përveç rolit ndërmjetësues të Bashkimit Evropian, qeveria e Kosovës e sheh si shumë të rëndësishëm edhe koordinimin e ngushtë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Qeveria e Kosovës konsideron se pjesëmarrja në dialog duhet të bëhet duke u bazuar në përgatitje të mirëfilltë dhe dakordim të përbashkët për temat që duhet të bisedohen.
Për këtë proces do të bashkëpunojmë me partnerët ndërkombëtar dhe do të ftojmë të gjitha partitë politike, si dhe do të angazhojmë
ekspertë të njohur për të kontribuar në këtë drejtim”. /Telegrafi/