Telegrafi

Plani i Juventusit për ta rikthyer në fushë Ronaldon në takimin ndaj Barcelonës – portugezi rezultoi për të dytën herë pozitiv me coronavirus

Cristiano Ronaldo ka ende një shans që të ndihmojë Juventusin në përballjen e Ligës së Kampionëve ndaj Barcelonës.

Pesë herë fituesi i Topit të Artë rezultoi pozitiv në testimin e dytë të bërë në këtë javë për coronavirus, derisa mbetet në dyshime paraqitja e tij për Zonjën e Vjetër.

Sipas asaj që raporton The Sun, Juventusi ka informuar UEFA-n se lojtari është në gjendje të mirë dhe do të testojnë atë 24 orë para se të luhet takimi me Barcelonën.

Nëse rezultati i tretë del negativ, atëherë 35-vjeçari do të lejohet të luajë kundër skuadrës katalunase në të mërkurën e javës së ardhshme.

Juventusi është nikoqir i Barcelonës për takimin e parë në fazën e grupeve të Ligës së Kampionëve, mirëpo shpresat e tyre më të mëdha janë në rikthimin e Ronaldos.

Në anën tjetër, Lionel Messi ka thënë se ai shpreson që ta shoh portugezin në fushë, duke rikthyer edhe një herë rivalitetin e tyre të madh. /Telegrafi/