Telegrafi

Plani gjashtë miliardësh për Ballkanin, katër fushat që përfiton Shqipëria

Zyra e Bashkimit Evropian në Shqipëri, ka publikuar të enjten detaje lidhur me Planin e Ri të Rritjes për Ballkanin Perëndimor.

Sipas një publikimi në rrjetet sociale, zyra në fjalë thekson se ky plan do të bazohet në 4 shtylla kryesore:

1. Rritja e integrimit ekonomik me Tregun Unik të Bashkimit Evropian;

2. Rritja e integrimit ekonomik brenda Ballkanit Perëndimor përmes Tregut të Përbashkët Rajonal;

3. Përshpejtimi i reformave themelore;

4. Rritja e ndihmës financiare.

Këto janë dhe fushat në të cilat do të përfitojë Shqipëria përgjatë periudhës 2024- 2027.

Plani i ri i Rritjes për Ballkanin Perëndimor u miratua nga Komisioni Evropian në nëntor të vitit 2023. Për zbatimin e këtij plani për Ballkanin Perëndimor do të jepen 6 miliardë euro grante dhe kredi, me qëllim për të sjellë ekonomitë e rajonit më afër BE-së.

Plani synon sjelljen e disa prej përfitimeve të anëtarësimit në BE në rajonin e Ballkanit Perëndimor përpara anëtarësimit, ku themelore është nxitja e rritjes ekonomike dhe përshpejtimi i konvergjencës shumë të nevojshme social- ekonomike.

Nga ana tjetër, plani ka si qëllim që në thelb t’u mundësojë partnerëve të BE-së në rajon që të përshpejtojnë reformat dhe investimet për të zmadhuar shpejtësinë e procesit të zgjerimit dhe rritjen e ekonomive të tyre.

Për këtë, është propozuar një Instrument i ri për Reforma dhe Rritje në vlerë prej 6 miliardë eurosh për periudhën 2024- 2027. Ato do të janë në dispozicion vetëm pas përmbushjes së reformave për të cilat është rënë dakord.

Zbërthimi i 4 pikave

Rritja ekonomike  

Pika e parë është rritja ekonomike që synon integrimin ekonomik me tregun e vetëm të BE-së, me kusht që Ballkani Perëndimor të përafrohet me rregullat e tregut të vetëm dhe hapja e fushave përkatëse për të gjithë fqinjët e tyre në të njëjtën kohë, në përputhje me Tregun e Përbashkët Rajonal.

“Fushat kryesore janë lëvizja e lirë e mallrave, shërbimeve dhe punëtorëve, zona e vetme e pagesave në euro, transporti, energjia dhe tregu i vetëm digjital”, thuhet në dokument.

Nxitja e integrimit

Nxitja e integrimit ekonomik brenda Ballkanit Perëndimor nëpërmjet Tregut të Përbashkët Rajonal, është një tjetër çështje që përfshihet në plan, bazuar në rregullat dhe standardet e BE-së, të cilat potencialisht mund të shtojnë 10% në ekonomitë e tyre.

Përshpejtimi i reformave

Plani ka të bëjë edhe me përshpejtimin e reformave themelore, mbështetja e rajonit drejt anëtarësimit në BE, përmirësimi i rritjes së qëndrueshme ekonomike, duke përfshirë tërheqjen e investimeve të huaja dhe forcimin e stabilitetit rajonal.

Rritja e ndihmës financiare

Rritja e ndihmës financiare ka si qëllim për të mbështetur reformat themelore. Instrumenti prej 6 miliardë eurosh përbëhet nga 2 miliardë euro grante dhe 4 miliardë euro kredi koncesionare, me pagesë të kushtëzuar nga përmbushja e reformave specifike nga partnerët e Ballkanit Perëndimor.

Plani i Rritjes bazohet në Planin Ekonomik dhe Investues prej 30 miliardë eurosh, i nisur që në vitin 2020. Tani i mbetet Parlamentit Evropian dhe Këshillit të shqyrtojnë propozimin.

Çfarë ndodh pas miratimit?

Pasi të miratohen, gjashtë partnerët e Ballkanit Perëndimor do të ftohen të paraqesin agjendat e tyre individuale të reformave duke paraqitur reformat social- ekonomike dhe themelore që do të ndërmarrin për të nxitur rritjen dhe konvergjencën sipas Planit të Rritjes gjatë periudhës 2024- 2027. Konvergjenca ekonomike është një element thelbësor në afrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor me BE-në.

Aktualisht, BPV-ja mesatare për kokë banori i rajonit qëndron ndërmjet 30% dhe 50% të mesatares së BE-së.  Integrimi me tregun e vetëm të BE-së ka qenë shtytësi kryesor i rritjes ekonomike për të gjitha vendet që iu bashkuan BE-së. Ndikimi pozitiv në BPV-në e një vendi dhe nivelet e të ardhurave që rrjedhin nga integrimi me tregun e vetëm të BE-së është demonstruar qartë në të kaluarën.