Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky do të paraqesë “planin e tij të fitores” në Bashkimin Evropian dhe NATO, duke kërkuar një ftesë për anëtarësim në aleancë dhe një rritje të madhe të mbështetjes ushtarake për fushatën e Kievit kundër pushtimit të Rusisë.
Bëhet e ditur se plani i Zelenskyt përmban kërkesa që aleatët e Ukrainës kanë refuzuar deri më tani t’i plotësojnë, të tilla si një ftesë për t’u bashkuar me aleancën ushtarake të NATO-s të udhëhequr nga SHBA-ja dhe leje për të përdorur armë perëndimore për të goditur thellë brenda Rusisë.
Zelensky së fundmi e prezantoi planin në parlamentin e Ukrainës, ndërsa forcat e Moskës përparojnë në lindje dhe zgjedhjet presidenciale në SHBA hedhin pasiguri mbi të ardhmen e mbështetjes perëndimore.
Ndërsa tani, ai sjell planin, për të cilin tha se mund t’i japë fund luftës “jo më vonë se vitin e ardhshëm”, në një samit të liderëve të Bashkimit Evropian dhe në një takim të ministrave të mbrojtjes të NATO-s, të dy në Bruksel.
Lideri ukrainas tashmë ka paraqitur planin prej pesë pikash, për të cilin tha se ka tre anekse sekrete, shkruan Reuters, përcjell Telegrafi.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Mark Rutte tha se plani përfaqëson “një sinjal të fortë” nga Zelensky, por shtoi: “Kjo nuk do të thotë se unë mbështes të gjithë planin. Kjo do të ishte paksa e vështirë, sepse ka shumë çështje”.
Gjithashtu, Rutte tha se të 32 anëtarët e NATO-s do të duhet të diskutojnë planin në detaje për ta kuptuar atë më mirë.
“Ne kemi disa pikëpamje të ndryshme për aspekte të veçanta të planit, por kjo nuk do të thotë se ne nuk jemi plotësisht prapa Ukrainës”, tha Rutte.
Ndryshe, NATO ka deklaruar se Ukraina do të bëhet anëtare, pa thënë se kur.
Por siç raportohet, ajo nuk mund t’i bashkohet aleancës ndërsa është në luftë, pasi kjo do ta tërhiqte NATO-n drejtpërdrejt në një konflikt me Rusinë.
“Ne e kuptojmë se anëtarësimi në NATO është një çështje për të ardhmen, jo të tashmen”, tha Zelensky drejtuar parlamentit ukrainas.
“Por Putini duhet të shohë se llogaritjet e tij gjeopolitike po dështojnë. Populli rus duhet ta ndiejë se cari i tyre ka humbur gjeopolitikisht ndaj botës”, shtoi presidenti ukrainas. /Telegrafi/