Lionel Messi mund të vesh përsëri fanellën e Argjentinës dhe të shënojë kthimin e tij në detyrën ndërkombëtare në Camp Nou, ku ai dhe shokët e tij të kombëtares do të përballen me Venezuelën më 22 ose 26 mars.
Guillermo Tofoni është agjenti përgjegjës i ndeshjeve të FIFA-s dhe aktualisht po përpiqet të organizojë miqësoren mes Argjentinës dhe Venezuelës.
Ky agjent dëshiron që kjo ndeshje të mbahet në stadiumin e Barcelonës, ndonëse ka edhe sugjerime se mund të luhet në Wanda Metropolitano të Atletico Madridit.
Edhe pse Messi kishte planifikuar të kthehej për ndeshjet e Copa Americas, loja që do të mbahet në Barcelonë mund ta shohë atë të kthehet para verës me ekipin kombëtar.
Numri 10 i Argjentinës luajti ndeshjen e fundit për vendin e tij më 30 qershor 2018.
Kjo ishte ndeshja ku u eliminuan nga Kampionati Botëror pas një disfate 4-3 ndaj Francës, ku më pas vendosi të merrte një pushim me kombëtaren.
Nëse gjërat qëndrojnë kështu, skuadra e Lionel Scalonit ka një përforcim të konfirmuar para se të fillojë Copa America dhe Camp Nou mund të jetë stadiumi i përsosur për Messin që të kthehet në ekip.
Megjithatë, ende nuk ka asgjë zyrtare dhe rikthimi i Messit po pritet me shumë entuziazëm nga tifozët argjentinas. /Telegrafi/