Një rast i rëndë ka ndodhur mëngjesin e së shtunës në Suharekë, ku një fëmijë u plagos aksidentalisht me pushkë të gjuetisë nga vëllai i tij i mitur.
Policia njoftoi se viktima u dërgua fillimisht në spitalin rajonal të Prizrenit për trajtim mjekësor emergjent dhe më pas është transferuar në QKUK për trajtim të mëtejshëm, për shkak të seriozitetit të lëndimeve.
Drejtori i Klinikës Emergjente në QKUK, Naser Syla ka bërë të ditur për Telegrafin se gjendja e fëmijës është stabile, dhe se i njëjti është 10 vjeçar.
Syla gjithashtu theksoi se i njëjti pas interventimit është dërguar në Klinikën e Ortopedisë për trajtim të mëtejmë mjekësor.
“Një 10 vjeçar është trajtuar mbrëmë në Qendrën Emergjente me plagë sklopetare, pas intervenimit kirurgjik në sallën e Emergjencës nga ekipet e anestezionit kirurgji vaskulare, ortopedisë dhe kirurgjisë plastike është transferuar në Klinikën e Ortopedisë për vazhdim të trajtimit, gjendja është stabile”, ka thënë Syla.
Policia ka nisur hetimet për rastin, ndërsa prokurori është informuar dhe është në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet hetimore. /Telegrafi/