Site icon Telegrafi

Plagosjet dhe vrasjet aksidentale, kërkohet hetimi i cilësisë së trajnimit të policëve

Brenda tre muajsh, numërohen dy raste ky zyrtarët policor jashtë detyrës kanë përdorur armën zyrtare aksidentalisht dhe madje kanë shkaktuar lëndime në njerëz. 

Përdorimi i armëve zyrtare nga policët e Kosovës jashtë detyrës ka nisur të kthehet në çështje problematike.

Rasti i fundit ndodhi mesditën e së premtes, kur një zyrtar policor i diplomuar së fundmi, dyshohet se nga pakujdesia ka plagosur nënën e tij me armën zyrtare.

Një rast thuajse i ngjashëm kishte ndodhur edhe para tre muajsh në Istog. Derisa po bëhej gati për punë, polici i gjeneratës 59, me armën zyrtare plagosi tezakun e tij duke i shkaktuar lëndime të rënda në kokë, të cilave nuk arriti tu mbijetoj.

Ndërsa në vitin 2022, në një ndejë të disa policëve në Zllatar të Prishtinës, njëri prej tyre kishte vrarë kolegun e tij. Edhe këtu dyshohet se rasti ndodhi aksidentalisht.

Pas rasteve të fundit, sidomos atyre ku janë të përfshirë policë të gjeneratave të reja, po dalin propozime që Inspektorati Policor të hetojë cilësinë e trajnimeve nëpër të cilat ata kalojnë.

“Duhet urgjentisht të konstatohen faktorët që po shtyjnë ndodhjen e rasteve të tilla, prandaj besoj që është një detyre urgjente e IPK-së që të ndërmarrë një inspektim të jashtëzakonshëm për të konstatuar nëse moduli i trajnimeve për gjeneratat e reja të PK-së, është i duhuri”, ka thënë Valdet Hoxha – njohës i sigurisë.  

Ndërsa ish-kryesuesi i IPK-së, Shaban Tasholli po propozon që ushtrimet për armë të zgjasin më shumë.

“Trajnimet duhet të jenë më të gjata pak, ndonëse dy herë në vit kanë ushtrime për gjuajtje të armëve dhe kur shkojnë në poligon, gjithherë e marrin edhe një trajnim shtesë. D.m.th është një kujdes i jashtëzakonshëm edhe në trajnime edhe në shkollime do të ishte mirë të kishte tri herë në vit trajnime, apo një herë në vit të ketë një trajnim më të gjanë sepse është ai treditor dhe mbase do ishte mirë të ishte 10 ditor”, ka thënë Shaban Tasholli, ish-kryesues i IPK-së.

Zyrtari policor që aksidentalisht plagosi nënën e tij, Dukagjini mësoi se i përket gjeneratës së 60-të të Policisë, e cila diplomoi para dy muajsh.

Exit mobile version