Policia e Kosovës në raportin 24 orësh ka dhënë detaje për rastin e së mërkurës në Klinë, ku u plagosën dy persona.
Policia bën të ditur se rasti ka ndodhur të mërkurën, rreth orës 13:39 në rrugën “Abedin Rexha”, Klinë, ndërkaq, lidhur me rastin janë arrestuar pesë të dyshuar.
“Janë arrestuar pesë të dyshuar meshkuj kosovar pasi të njëjtit janë përfshirë në një rrahje në mes veti. Gjatë përleshjes të dyshuarit kanë shtënë edhe me armë zjarri. Si pasojë e të shtënave me armë dy të dyshuar janë plagosur. Të plagosurit janë dërguar në tretman mjekësorë, dhe të njëjtit sipas raportit mjekësorë janë jashtë rrezikut për jetë”, thuhet në raportin policor.
Në vendin e ngjarjes në cilësi të provave materiale janë gjetur dhe konfiskuar; dy pistoleta, 15 fishekë, dy gëzhoja, një sprej dhe një brisk.
Me vendim të prokurorit të dyshuarve u është caktuar masa e ndalimit për 48 orë ku tre prej të dyshuarave janë dërguar në mbajtje, ndërsa dy të dyshuarit tjerë të plagosur janë në tretman mjekësor nën mbikëqyrje policisë. /Telegrafi/