Dje në mbrëmje një person u paraqit i plagosur me thikë në spitalin e Korçës.
Sipas korrespondentit të Euronews Albania në Korçë, i plagosuri është Kostandin Ziu ndërsa autori i dyshuar i kësaj ngjarje është 25-vjeçari Jorgo Rustemi.
Sipas burimeve djemtë ishin shokë me njeri-tjetrin pasi ishin njohur së bashku gjatë periudhës kur të dy vuanin një dënim me burg.
Gjatë gjithë ditës së djeshme, 25-vjeçari Rustemi dhe 26-vjeçari Ziu kanë lëvizur me një makinë “Renault”, të cilën gjithashtu për policinë mendohet të jetë marrë me qera, pasi asnjëri prej tyre nuk dispononte një mjet të tillë.
Burime të siguruara thanë se gjithçka ka ndodhur jashtë një lokali në rrugën “Viktor Eftimiu” në lagjen nr. 4 të qytetit të Korçës.
Deri tani, policia ka pak informacion për motivin e kësaj ngjarje, pasi 26-vjeçari Ziu, për shkak të gjendjes së rëndë shëndetësore, e ka patur të pamundur të rrëfejë ngjarjen.
Ndërkohë, 25-vjeçari Rustemi vijon të jetë në kërkim nga ana e bluve të Korçës.