Policia britanike ka qëlluar një burrë në urën e famshme të Londrës ndërsa pesë persona janë plagosur, kanë bërë të ditur dëshmitarët okularë duke pretenduar se i dyshuari i ishte vërsulur masës me thikë në dorë, duke bërë që ata të vrapojnë nga të gjitha anët që t’i shpëtojnë më të keqes.
Videoja e filmuar në vend të ngjarjes shfaq të paktën katër persona që ballafaqohen me një burrë të shtrirë në tokë, të cilin policia e tërheq zvarrë dhe e qëllon.
Fillimisht policët kishin qëndruar disa metra larg të dyshuarit, që po qëndronte në tokë dhe mbante në dorë një thikë, transmeton Telegrafi.
Ky incident ndodh pas dy viteve e gjysmë nga sulmi terrorist, që ndodhi pikërisht në këtë urë ku humbën jetën tetë civilë dhe u plagosën 48 tjerë.
Një video shfaq policët duke nxjerrë pajisjet e tyre nga veturat, dhe ku dëgjohen duke bërtitur “të shtëna armësh”.
Për të shmangur më të keqen, policia ka evakuuar urën duke vendosur kordonë të policisë, në anën tjetër ende nuk dihen motivet e këtij sulmi që ka sjellë panik tek qytetarët e Londrës.
Mediat angleze raportojnë se pas intervenimit të policisë situata është vënë nën kontroll, ku sulmuesi u plagos nga forcat metropolitane dhe më pas u arrestua. /Telegrafi/