Policia e Kosovës, përkatësisht Drejtoria Rajonale e Policisë në Pejë, sot me datë 21.04.2019 rreth orës 09:45, ka pranuar informatë se në spitalin Rajonal në Pejë është pranuar një person i plagosur me armë zjarri dhe pas dhënies së ndihmë ne emergjencën e Spitalit Rajonal në Pejë, për shkak të gjendjes së rëndë viktima është dërguar në QKUK – Prishtinë.
Sipas njoftimit, policia me të marrë informacionin ka shkuar në vendngjarje dhe ka bërë sigurimin e vendit të ngjarjes në shtëpinë e viktimës në fshatin Brestovik, ku sipas familjarëve rasti ka ndodhur ne një aneks të shtëpisë së viktimës.
“Vendit të ngjarjes iu është përgjigjur Drejtori Rajonal i Policisë- Pejë, zëvendësdrejtori Rajonal, Kryeprokurori i Prokurorisë themelore në Pejë, Njësiti i Hetimeve Rajonale, Njësiti i Krimeve të Rënda nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Kosovës dhe Inspektorati Policor i Kosovës (IPK), të cilët janë duke i kryer hetimet në koordinim të plotë me prokurorin e shtetit dhe hetuesit kompetent në këtë rast, meqë viktima është pjesëtar i Policisë së Kosovës. Me shikimin e vendit të ngjarjes ka udhëhequr Kryeprokurori i Prokurorisë themelore në
Pejë”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës. /Telegrafi/