Një person është plagosur në qendër të Prishtinës, kanë bërë të ditur dëshmitarët për KosovaPressin.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 21:00 të mbrëmjes së sotme në sheshin “ Nënë Tereza” të kryeqytetit.
Policia e Kosovës dhe ekipet mjekësore kanë dalë në vendin e ngjarjes.
Policia e Kosovës e ka konfirmuar rastin për KosovaPress, duke njoftuar se personi i plagosur është një i ri i moshës 17-vjeçare.
Zëdhënësja e PK-së për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti, ka thënë se viktima është plagosur me thikë dhe se i njëjti është dërguar për ndihmë mjekësore në QKUK.
Me viktimën, për trajtim mjekësor është dërguar edhe një person i cili besohet se ka marrë lëndime më të lehta.