Sot rreth orës 18:35 një person, nën kërcënimin e armës, ka plaçkitur një pikë të kompanisë IPKO në rrugën “Eliot Engel” në Pejë.
Në këtë pikë ka qenë duke punuar një punëtore e cila ka bërë të ditur se asaj i janë plaçkitur nga i dyshuari rreth 95 euro.
Rastin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë për rajonin e Pejës, Xhevat Ibraj.
“Sot rreth orës 18:35 në rrugën ‘Eliot Engel’ në Pejë ka ndodhur një rast grabitje në një lokal të kompanisë IPKO. Një person i dyshuar nën kërcënimin e armës ka grabitur, sipas punëtores, një shumë prej 95 euro”, ka thënë Ibraj për Klan Kosova.
Sipas tij, njësitë relevante kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe janë duke i marrë të gjitha veprimet e nevojshme për t’a zbardhur rastin.
“Rasti është cilësuar si grabitje. Ndërsa deri më tani Policia ende nuk ka arritur ta identifikojë personin e dyshuar. I dyshimti është larguar në drejtim të panjohur”, tha Ibraj.