Site icon Telegrafi

Pjesëmarrja e LVV-së në zgjedhjet në Shqipëri, Halimi: Kështu dëmtohen raportet mes Kosovës dhe Shqipërisë

Anëtarja e re e Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, Sibel Halimi, ka reaguar ndaj pjesëmarrjes së Lëvizjes Vetëvendosje me kandidatët e saj në zgjedhjet parlamentare të 21 prillit në Shqipëri.

Halimi, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se “Përpjekja që domosdoshmërish të krijohen formacione të tipit të partive politike në Shqipëri nga Kosova, sidomos nga partia e cila ka fituar në mënyrë absolute nga zgjedhjet e fundit, shpërfaq deficit të ideve të qeverisjes së mirë”.

“Veprime të tilla, madje mund të bëhen pengesë në bashkëpunimin eventual në mes të dy vendeve pas përfundimit të fushatës elektorale, cilado parti që del fituese në Shqipëri”, ka shkruar Halimi.

Postimi i plotë i Halimit:

“Në këtë stad të zhvillimit në të cilën gjendet Kosova dhe Shqipëria, bashkëpunimi do të duhej të zhvillohet në nivel projektesh inovative që rigjenerojnë ide emancipuese e progresive për dy vendet. Përpjekja që domosdoshmërish të krijohen formacione të tipit të partive politike në Shqipëri nga Kosova, sidomos nga partia e cila ka fituar në mënyrë absolute nga zgjedhjet e fundit, shpërfaq deficit të ideve të qeverisjes së mirë. Veprime të tilla, madje mund të bëhen pengesë në bashkëpunimin eventual në mes të dy vendeve pas përfundimit të fushatës elektorale, cilado parti që del fituese në Shqipëri.

Në të kundërtën, partia në pushtet do të duhej tani ta kishte një program të qartë të ideve të bashkëpunimit me specifikimin e prioriteteve për fushat relevante si shëndetësia, arsimi e kultura”, ka shkruar Halimi.

Zgjedhjet parlamentare në Shqipëri do të mbahen më 25 prill. Për herë të parë në këto zgjedhje Lëvizja Vetëvendosje do të ketë 3 kandidatë për deputetë.

Iliaz Shehi në qarkun e Lezhës, Kreshnik Merxhani në qarkun e Gjirokastrës dhe Boiken Abazi në qarkun e Tiranës janë kandidatët e LVV-së për deputetë. /Telegrafi/

Exit mobile version