Pjesa e parë mes Kosovës dhe Burkina Fasos, doli të jetë e bukur dhe me raste, ku djelmoshat tanë ishin të saktë para porte duke shënuar dy herë.
Kosova e ka nisur fuqishëm ndeshjen duke shënuar që në start, kur po zhvillohej minuta e tretë.
Një goditje nga këndi u shfrytëzua më së miri, ku topi erdhi te Edon Zhegrova, i cili harkoi në zonë për të gjetur Fidan Alitin, e ky i fundit goditi bukur me të parën për të dërguar topin në rrjetë për 1-0.
Pas golit ndeshja ra paksa, me mysafirët që tentonin të bënin më shumë, por që nuk arritën të shënonin.
Kosova u kthye sërish në aksion në minutën e 23-të, kur erdhi edhe goli i dytë në ndeshje.
Pas një aksioni të gjatë, ku Milot Rashica asistoi te Astrit Selmani, i cili gjuan shumë bukur nga brenda zonës për 2-0.
Burkina Faso pasi pranoi golin e dytë, kishte tre raste të njëpasnjëshme, por që në të tria rastet në vend ishte Samir Ujkani, duke mos lejuar gol.
Minutat e fundit të pjesës së parë ishin më të qeta, ku Kosova menaxhonte rezultatin që kishte, duke bërë më shumë pasime në mbrojtje.
Pjesa e parë ishte shumë e mirë për të besuarit e Alain Giresse. /Telegrafi/