Site icon Telegrafi

Pjesa e dytë fatale për kampionët e Kosovës, Benfica e mposht Yllin me 25 pikë epërsi

Golden Eagle Ylli ka pësuar humbje nga Benfica me rezultat 67:92 (19:14, 23:28, 16:29, 9:21), në kualifikimet e Ligës së Kampionëve, përkatësisht çerekfinalet e kësaj gare.

Ylli bëri një paraqitje të mirë, sidomos në pjesën e parë që përfundoi 42:42, në debutim të garave ndërkombëtare, ndonëse kishte edhe mungesa për shkak të lëndimeve.

Kampionët e Kosovës e nisën ndeshjen shumë mirë, me një seri prej 6:0 dhe më pas thelluan epërsinë në 13:4, por më pas kishin një rënie të lehtë, që e shfrytëzuan portugezët, kurse çereku i parë përfundoi 19:14.

Benfica vazhdoi me lojë të mirë, duke barazuar rezultatin në 19:19, e më pas kaluan për herë të parë në epërsi 21:23, ndërsa më pas zhvillohet lojë e barabartë, ku pjesa e parë përfundon 42:42, ndonëse Ylli u paraqit me vetëm gjashtë basketbollistë në parket, ku munguan Gëzim Morina dhe Malcolm Armstead, për shkak të lëndimeve.

Kjo u vërejt në pjesën e dytë, ku u shkëputën portugezët, të përkrahur edhe nga tifozët vendas. Benfica ishte më e mirë në këtë pjesë dhe fitoi në fund 67:92. Te Ylli u dalluan Bashir Ahmed me 27 pikë, Chris Harris me nëntë pikë e 14 kërcime dhe Valon Bunjaku me 15 pikë.

Kjo ishte paraqitja e parë e Yllit në garat ndërkombëtare, përkatësisht në kualifikimet e Ligës së Kampionëve. Therandasit do të vazhdojnë garat në grupet e FIBA Europe Cup.

Exit mobile version