Ylli i Juventusit, Miralem Pjanic, ndihet më i lirë nën drejtimin e Maurizio Sarrit dhe beson se mund të bëhet një nga më të mirët në botë në pozitën e tij.
Juventusi do të kthehet në fushë mbrëmjen e së martës për ndeshjen e Ligës së Kampionëve kundër Bayer Leverkusen.
Për këtë sfidë ka folur Miralem Pjanic, i cili ka zbuluar edhe objektivin e tij personal.
“Sa më shumë kalojnë ditët, aq më mirë e kuptojmë atë që do trajneri. Ka patur ndryshime të mëdha, por tani e shikoj skuadrën në rritje”.
“Gjërat nuk mund të jenë perfekt pas një muaji, por besoj se loja e Sarrit do të shihet me kalimin e kohës”.
“Unë tani kërkohem më shumë nga shokët e skuadrës dhe ndihem mirë. Do të kërkoj të bëj gjithmonë atë që më kërkon trajneri”.
“Allegri kërkonte të luanim më shumë nga krahët, tani mundohem të jap më shumë pasime vertikale sepse kam më shumë liri. Jam mirë këtu dhe dua të përmirësohem akoma dhe të bëhem një nga më të mirët në botë”, ka thënë Pjanic.
Ndeshja mes Juventusit dhe Bayer Leverkusenit do të zhvillohet të martën nga ora 21:00. /Telegrafi/