Miralem Pjanic e ka pranuar se Juventusi ka mundur të luajë më mirë, ndërsa më së shumti është penduar për golin e parë gjatë ndeshjes kundër Barcelonës.
Lionel Messi e kishte thyer heshtjen duke shënuar gol në minutat e fundit të pjesës së parë, ndërsa në pjesën e dytë, bashkë me Ivan Rakitic, kishin shënuar edhe dy tjera.
“Në pjesën e parë, ne nuk kemi mund ta pranojmë një gol të tillë. Ishte një performancë tejet të mirë në pjesën e parë, po luanim lojën tonë dhe i kishim mundësitë tona”, ka thënë mesfushori për Mediaset Premium.
“Posa kaloi në avantazh Barcelona, ata e kontrolluan topin. Ne mund të kishim luajtur më mirë dhe kjo do të na shërbejë si mësim. Është thjesht loja e parë në grup, prandaj njerëzit janë duke i ekzagjeruar kritikat”.
“Humbëm ndaj një kundërshtari të fortë dhe kishim mungesë të shumë lojtarëve, por më e rëndësishmja është të mësojmë nga gabimet”, ka vazhduar ai duke shtuar se Juventusi edhe mund të kishte shënuar një gol po të kishte qenë më agresiv në sulm. /Telegrafi/