Juventusi do të takohet me Milanin në “San Siro” në një situatë ndryshe nga vitet e shkuara, pasi Zonja e Vjetër është në ndjekje të kuqezinjve që kanë dhjetë pikë më shumë.
Takimi mes dy skuadrave është mjaft i rëndësishëm për Juventusin, pasi në rast humbjeje do të mbetej shumë mbrapa në renditje, por edhe për trajnerin Andrea Pirlo, që para se të vishte fanellën bardhezi, fitoi gjithçka me Milanin.
Trajneri i Juventusit, Andrea Pirlo, ka folur për ndeshjen e së mërkurës ndaj Milanit, duke thënë se do të jetë ndeshje e fortë, por jo vendimtare.
“Ndeshja Milan-Juventus nuk do të jetë vendimtare, por sigurisht një përballje shumë e rëndësishme. Ishte shumë tërheqëse si sfidë kur isha futbollist, pasi kam veshur fanellën e të dy skuadrave dhe mbetet e njëjtë edhe tani që jam trajner”, ka thënë fillimisht Pirlo.
Bardhezinjtë vijnë me probleme në këtë ndeshje, pasi Alvaro Morata është i dëmtuar, ndërsa Alex Sandro dhe Juan Cuadrado kanë rezultuar pozitiv me COVID-19.
“Ales Sandro doli pozitiv dhe tani po presim me padurim përgjigjet për pjesën tjetër të skuadrës (pozitiv ka rezultuar edhe Cuadrado), me shpresën që nuk do të kemi të prekur të tjerë. Dybala kishte temperaturë dje, por sot ishte mirë dhe besoj se do ta kemi në dispozicion”.
“Sa i përket Moratës, do të vendosim para ndeshjes bashkë me stafin mjekësor, ndërsa mund të them se Rabiot, Arthur, Demiral e Chiellini janë në formë, ndaj mund ta nisin nga minuta e parë nesër”, ka thënë trajneri i Juventusit. /Telegrafi/