Instituti i Prishtinës për Studime Politike (PIPS), ka publikuar sot anketën “Politika Ndërkombëtare dhe Dialogu Kosovë-Serbi: Perceptimet e Qytetarëve të Kosovës” e nxjerrë në bashkëpunim me Konrad Adenauer Stiftung (KAS).
Disa prej të gjeturave kryesore të këtij raporti janë se: Tre shtetet kryesore partnere të Kosovës sipas respondentëve janë: ShBA, Gjermania dhe Britania e Madhe, transmeton Telegrafi.
Në raport thuhet se Angela Merkel është liderja e preferuar e kosovarëve me një shifër prej rreth 63%, presidenti amerikan, Donald Trump është renditur i dyti me rreth 15% ndërkaq presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, ka dalë i treti me 10%.
Rreth 51% besojnë se Kosova është dëmtuar nga fushata e Serbisë për tërheqjen e njohjeve të Kosovës.
Në raport bëhet e ditur se respondentët ishin të ndarë në mënyrë thuajse të barabartë në relacion me tarifën 100% ndaj Serbisë, ku rreth rreth 44% thonë se Qeveria e re e Kosovës duhet të heqë tarifën 100% për produktet serbe, krahasuar me rreth 45% që kanë deklaruar se tarifa duhet të mbetet.
Opsioni i preferuar për shumicën e respondentëve nga dialogu me Serbinë, domethënë për rreth 69%, është që Kosova duhet të kërkojë njohje në kufijtë ekzistues.
Tutje në raport thuhet se rreth 23% besojnë se marrëveshja Kosovë-Serbi do të arrihet brenda vitit 2020, krahasuar me rreth 43% që besojnë se ajo do të arrihet brenda tre viteve, ndërkaq rreth 23% besojnë se ajo do të arrihet brenda pesë viteve.
Raportin e plotë mund ta gjeni KËTU.
Ndërsa, rreth 39% besojnë se tema e shkëmbimit të territoreve e ka dëmtuar pozicionin e Kosovës në dialog me Serbinë.
Hulumtimi është zhvilluar në 38 komuna të Kosovës duke përdorur metodën sasiore të hulumtimit.
Në kuadër të këtij hulumtimi janë anketuar 1 mijë e 200 qytetarë të Kosovës, të moshës mbi 18 vjeç: shqiptarë (800), serbë (200) dhe pjesëtarë të komuniteteve të tjera (200). /Telegrafi/