Milani ka arritur ta fitoj derbin e javës në Serie A, duke e mposhtur Romën me rezultat 3-1.
Olivier Giroud, Messias dhe Rafael Leao u përkujdesën për golat e Rossonerëve derisa Tammy Abraham realizoi për mysafirët nga kryeqyteti italian.
Trajneri italian i Milanit, Stefano Pioli është shprehur shumë i lumtur me triumfin e skuadrës së tij.
“Kjo është një periudhë e veçantë, çdo ditë duhet të jemi të kujdesshëm sepse mund të ketë ngjarje të papritura. Sot dhamë një shenjë të madhe, një qëndrim që duhet mbajtur në fazën e dytë”.
“Leao dhe Rebic kanë karakteristika të ndryshme nga të tjerët, skuadra luajti mirë që nga fillimi. Cilësitë e individëve kanë bërë gjithmonë diferencën dhe për fat të mirë jemi duke rikuperuar lojtarë me karakteristika të mira”, tha Pioli.
Pioli tutje ka thënë se është kënaqësi për të që t’i stërvitë këta futbollistë, derisa synojnë që të njëjtin rezultat ta marrin edhe të dielën kur përballen me Venezian në udhëtim.
“Ne të gjithë punojmë shumë për këtë, unë, klubi dhe menaxherët së bashku me lojtarët. Është një punë e vazhdueshme, është kënaqësi të stërvitësh këta djem. Ata duan të rriten, të mësojnë edhe nga gabimet që kemi bërë. Ne jemi të paktë në numër dhe në dy ditë luajmë një ndeshje tjetër të rëndësishme”.
“Janë të rëndësishme, por vetëm nëse mund ta përsërisim të dielën. Ne donim të fillonim mirë, por vazhdimësia bën diferencën në një kampionat kaq të gjatë. Duam të përmirësojmë rezultatin e vitit të kaluar”, tha Pioli. /Telegrafi/