Milani e ka nisur me fitore sezonin e ri në Serie A, pasi ka triumfuar në udhëtim te Bologna me rezultat 0-2.
Deri te kjo fitore Rossonerët erdhën falë golave nga Olivier Giroud dhe Christian Pulisic, ku që të dy realizuan në pjesën e parë.
Trajneri i Milanit, Stefano Pioli ka mbetur shumë i kënaqur me paraqitjen e futbollistëve të tij në këtë sfidë.
“Pashë disa gjëra të bukura në ndeshje, duhet të punojmë pak me ekuilibrin në fushë, por të rinjtë janë integruar shumë mirë. Jam i lumtur me afrimet që kanë bërë drejtuesit dhe kam bindjen se po formohet një grup shumë i bukur”.
“Të rinjtë po japin maksimumin për t’u integruar dhe për t’u mësuar me futbollin e ri që praktikojnë këtu te Milan. E di që do të na ndihmojnë shumë dhe do të jenë mjaft të rëndësishëm përgjatë sezonit. Pulisic është një “xhol”, por unë e shoh më shumë në të djathtë se sa në të majtë”, deklaroi Pioli.
Tutje trajneri italian foli edhe për disa nga lojtarët në veçanti si Olivier Giroud, Rafael Leao dhe Mike Maignan.
“Giroud është një lider, shembull për të gjithë dhe është gjithmonë i gatshëm për të ndihmuar skuadrën. Nuk është më edhe aq i ri, por unë jam shumë krenar që jam trajneri i tij”.
“Me Leaon flas çdo ditë, mundohem ta bëj të kuptoj se është një futbollist me fuqi të jashtëzakonshme dhe që cilësitë e tij duhet t’i vendosë në funksion të skuadrës. Me topin në zotërim kemi shumë kualitet, tani duhet të mësojmë të lëvizim edhe kur nuk e kemi topin në kontroll”.
“Lideri i ri tani që nuk është Zlatan? Ibra na mungon, por ai i ka rritur të gjithë këta futbollistë sa i takon mentalitetit. Ai që i afrohet më shumë Ibrës në aspektin e liderit është Maignan. Ka shumë karakter”, tha Pioli. /Telegrafi/