Milani ka marrë një fitore spektakolare në udhëtim te lideri aktual i Serie A, Napoli.
Kampioni në fuqi i Italisë ka triumfuar me rezultat të thellë 0-4, duke shkaktuar një nga befasitë më të mëdha këtë edicion në elitën e futbollit italian.
Ishte një fitore që e mbanë lart moralin e Rossonerëve para përballjes që dy skuadrat do ta kenë edhe në çerekfinale të Ligës së Kampionëve.
Pas ndeshjes trajneri i Milanit, Stefano Pioli ka thënë se ky rezultat nuk ndikon fare për përballjen e parë në ‘Champions’ pasi aty do të jetë krejtësisht tjetër ndeshje.
“Fitorja është vetëm hapi i parë. Kam dëgjuar shumë gjëra, por kemi edhe nëntë ndeshje të tjera dhe duhet të kemi të njëjtin qëndrim. Kemi hedhur poshtë mundësitë, me gabime që nuk duhet të përsëriten më”.
“Asnjë rezultat nuk do të ndikojë në dy ndeshjet e Ligës së Kampionëve. Do të më japë mua dhe stafin tim mundësinë për të parë situata pak a shumë pozitive. Do të jetë një ndeshje e ekuilibruar mes dy skuadrave të forta që po shkojnë mirë në Ligën e Kampionëve, ndërsa Napoli ishte më mirë se ne”.
“Sezoni do të jetë pozitiv nëse luajmë sërish në Ligën e Kampionëve vitin e ardhshëm. Unë preferova ta largoja Brahim Diazin të mos rrezikoja, pasi kishte një siklet dhe bëra një zëvendësim të mirë me Saelemakers. Tani është e lehtë të thuhet se ndryshimi i sistemit na bëri të fitonim. Por edhe me sistemin tjetër fituam ndeshje të rëndësishme”, tha Pioli.
Tutje trajneri italian ka thënë se është vetëm një fitore dhe duhet të mendojnë për ndeshjet e tjera, pasi ende nuk janë të qetë sa i përket pozitës që i dërgon në garën më të madhe evropiane për klube sezonin e ardhshëm.
“Gjithsesi është vetëm një ndeshje e mirë kundër një skuadre të madhe. Duhet të shikojmë të tjera. Kanë mbetur edhe 10 ditë nga dueli i radhës në çerekfinale me Napolin, por më parë kemi Empolin në kampionat, nuk i kemi përballuar gjithmonë ndeshjet e kampionatit me përqendrimin e duhur”.
“Pas përballjes me Empolin do të mendojmë për çerekfinalen e Ligës së Kampionëve. Sigurisht që fitorja e sotme na jep besim, por do të jenë ndeshje të ndryshme me atë të Ligës së Kampionëve. Nuk është se ne fituam 4-0 sot dhe Napoli i ka humbur siguritë”.
“Ne duhet të insistojmë dhe do të mendojmë që të parballemi me personalitet si në mbrëmjen e sotme. Kishim një muaj janar që na hoqi siguritë. Jemi pak të përçarë, por vetëm klubet më të mira arrijnë të bëjnë mirë si në kampionat ashtu edhe në Ligën e Kampionëve dhe kupa ndoshta na hoqi kthjelltësinë në ligë”.
“Ne duam të arrijmë majat dhe ajo që ka rëndësi është finalja e sezonit dhe e premtja ndaj Empolit. Leao ka potencial të jashtëzakonshëm dhe do të bëhet kampion”, u shpreh trajneri italian. /Telegrafi/