Stefano Pioli ka pranuar se barazimi ndaj Bolognas është një mundësi e humbur për Milanin, mirëpo i ka hedhur poshtë sugjerimet se skuadra e tij po vuan nga presioni i të qenit lider.
Rossonerët luajtën pa gola në San Siro duke mbetur vetëm një pikë para Napolit dhe katër pikë para Interit (që ka një ndeshje më pak të zhvilluar).
“Është lehtë të analizohet ndeshja e kësaj mbrëmjeje (e hënë). Nuk ishim në gjendje të gjenim momentin e duhur, topin e fundit, kthesën, goditjen që mund ta ndryshonte. Bëmë gjithçka tjetër”.
“E përjashtoj krejtësisht idenë se ishte çështje psikologjike. Skuadra luajti me karakterin e duhur, temperamentin dhe mentalitetin, madje edhe me cilësi deri në fazën finale”.
“Ekipi im ka dëshmuar se është gjallë dhe po godet, ka cilësi dhe meriton të jetë aty duke sfiduar deri në fund”, është shprehur Pioli për Sky Sport Italia. /Telegrafi/