Skuadrat nga Kosova u paraqitën në gara evropiane, javën që lamë pas, duke marr rezultatet shumë të mira në raundin e parë kualifikuese të Ligës së Kampionëve dhe Ligës së Konferencës.
Këto rezultate janë vlerësuar edhe nga UEFA, duke pasur parasysh se ekipet tona renditen në mesin e top 3 vendeve që kanë tubuar pikë më së shumti, +0.625 pikë.
Ballkani arriti fitore të madhe ndaj Ludogorets me rezultat 2-0 në raundin e parë të Ligës së Kampionëve, me golat e Meriton Korenicës dhe Qëndrim Zybën.
Fitore në “Fadil Vokrri” mori edhe Dukagjini që fitoi ndaj FC Europa nga Gjibraltari me rezultat 2-1 në raundin e parë kualifikues të Ligës së Konferencës. Bujar Shabani dhe Iljesa Zulfiu i shënuan golat.
Në anën tjetër Gjilani mori një barazim me vlerë ndaj Proges të Luksemburgut me rezultat 2-2, duke e lënë hapur kualifikimin për ndeshjen kthyese. Arbnor Ramadani i shënoi dy gola nga penalltia në këtë ndeshje.
Njëjtë si ekipet nga Kosova pikë kanë marr edhe ato nga Maqedonia e Veriut dhe Sllovakia, derisa më mirë, pra në vendin e parë renditen skuadrat nga Islanda, që kanë arritur të tubojë +0.667 pikë, shkruan Telegrafi.
Kujtojmë, fitorja në këtë fazë vlente një pikë, teksa barazimi 0.5 pikë.
Pikët mblidhen dhe pjesëtohen me numrin e skuadrave pjesëmarrëse që në rastin tonë janë katër, por Drita ende nuk ka luajtur, kështu që kampionati ynë grumbulloi 0.625 pikë në renditjen e UEFA-s.
Kosova edhe për kundër këtyre rezultateve, mbetet në vendin e 36-të në renditjen e UEFA-s. /Telegrafi/