Telegrafi

Pikëpyetjet e dorëheqjes së avokatit të Kadri Veselit, Selimaj: S’është e lehtë shkëputja e tij në këtë fazë

Avokati, Meshar Selimaj ka komentuar për dorëheqjen e avokatit të Kadri Veselit, Ben Emmerson, ai e ka cilësuar si problematike pasi sipas tij kjo shkëputje nuk është e lehtë në këtë fazë

Gjykata siguroi se largimi i Emmersonit nuk do të shkaktojë vonesa në procesin gjyqësor.

Avokati Meshar Selimaj e ka komentuar largimin e avokatit të Kadri Veselit, duke thënë se mund të jetë problematike për shkakun se avokati Ben Emmerson e ka përcjellë çështjen që në fillim.

“Është problematike, për shkakun se kemi të bëjmë me një mbrojtës që prej nga fillimi e ka përcjellë një çështje penale dhe shkëputja e tij në momente të rëndësishme procedurale nuk është e lehtë, përveçse ai ka qenë në dijeni të rrethanave dhe provave materiale që i ka marrë me kohë, kjo ndikon edhe në përgatitjen e mbrojtësit të ri për mbrojtjen e Veselit,” tha Selimaj në RTV Dukagjini.

Selimaj thotë se duhet bërë një analizë më e gjatë të dihet se pse ka ardhur deri te shkëputja e kontratës.

Teksa shton se mbrojtja nuk është aspak e lehtë për ato të cilat akuzohet Veseli.

“Nëse për çështje financiare ka ndodhur një gjë e tillë, atëherë duhet të bëhet një analizë më e drejtë, se pse ka ardhur deri te shkëputja e një kontrate të tillë, cilat kanë qenë kërkesat e Emmerson, sa ka pasur mundësi që shteti t’i përmbushë ato kërkesa, për shkakun se mbrojtja është e komplikuar, në këtë rast nuk ka mbrojtje të lehtë lidhur me këto vepra penale me të cilat akuzohet Veseli,” shtoi ai.

Sipas avokatit, duhet të shikohet në një aspekt më të gjerë se ku qëndron faji.

“A qëndron te mosfinancimi, apo ndoshta ka qenë edhe kërkesa shumë e lartë e avokatit për përfaqësim, edhe pse duhet analizuar edhe angazhimin e një avokati mbrojtës në këtë rast.”

Teksa shtoi se ka shumë mekanizma e faktorë që luajnë rol në një relacion të tillë.

“Duhet një angazhim maksimal dhe dinjitoz sepse mendoj që nuk kemi të bëjmë me emra të përveçëm, por kemi të bëjmë me mbrojtjen e një lufte të tërë të shqiptarëve të Kosovës, për shtet, liri e pavarësi.”

Se a mund të kërkojë avokati të tërhiqet, Selimaj thotë plotësisht po, sipas tij, ajo është zgjedhje e lirë.

“Është e lirë edhe zgjedhja për ta shkëputur marrëveshjen me avokat, duhet dhe janë të parapara edhe rrethanat ligjore dhe udhëzimet e përcaktuara drejtë ku rregullohet kjo marrëdhënie mes avokatit e klientit, askush askënd nuk mund ta mbajë me zor në një raport të tillë, zgjedhja është e lirë.”

Ndërsa theksoi se avokatit të ri do t’i duhet kohë që të njihet me provat materiale e personale.

“Avokatit të ri i duhet kohë të përgatitet që të njihet me provat materiale dhe personale, ai duhet t’i analizojë ato që janë kryer e ato që do të vijnë në vazhdim, merr kohë ta kuptojë thelbin e lëndës, avokatit të ri i duhet ta bëjë një strategji, ndoshta kjo do të dallojë prej strategjisë së mbrojtësit të kaluar,” shtoi Selimaj.