Me vite të tëra mashtroi shtypin e gjithë botës, duke shpërndarë lajme false, që nga “prapaskenat e vdekjes së Enver Hoxhës”, të publikuara te “Zëri i Popullit” më 1990, te vdekja e Ratko Mladiqit, dorëheqja e Rugovës dhe telefonata mes ish-ministrit të jashtëm italian, Lamberto Dini, dhe të akuzuarit nga Haga, Sllobodan Millosheviq. Zbërthen me krenari gjithë listën e mediave që ka mundur “t’ua hedhë” me atë që ai quan “një formë arti avanguardist” dhe, më në fund, rrëfehet: “Po, i kam shpikur të gjitha”. Telegrafi risjell lajmin e vitit e vitit 2002, për një nga mashtruesit më të mëdhenj në gazetarinë botërore.
Pietro Zannoni jetonte në Grottamare (Ascoli Piceno) në Itali dhe zanati i tij i vërtetë është punëtor këpucësh. Që nga 1990 ka mundur të ndërtojë identitete të ndryshme, duke arritur të depërtojë nëpër agjenci shtypi, gazeta, televizione dhe internet, me lajme të bujshme, të gjitha të shpikura.
“Historia lind nga një ide e babait tim Gino”, pranon të tregojë për korrespondentin e Ansa-s në Tiranë, “i cili ka qenë shef i repartit të psikiatrisë dhe është ai që ka përpunuar këtë teori artistike që në fakt synon të zëvendësojë një burim të vërtetë me lajme pak të vërteta apo false”.
“Karriera artistike” e Zannonit fillon në 1990 dhe në Tiranë, kur në emër të një partie bullgare inekzistente, arrin të publikojë te “Zëri i popullit” një lajm të rremë mbi arsyet e vdekjes së diktatorit Enver Hoxha.
“Ishte shumë e lehtë”, rrëfen Zannoni.
Eksperimenti me shqiptarët funksionoi dhe pas pak kohësh, punëtori i ri ngulet në kryeqytetin shqiptar dhe në emër të një agjencie “Zyra e shtypit” nis të fabrikojë të tjera lajme false, pjesa më e madhe e të cilëve përfunduan në shtypin shqiptar jo me pak bujë.
Pas “Zërit të popullit”, të tjera gazeta si “Rilindja demokratike” dhe “Koha jonë” do të binin “pre'” e fantazisë së Gino dhe Pietro Zannonit: kështu deri në 1996, lajme si fonde serbe dhe greke për partinë socialiste apo telefonata që kishte marrë përsipër atentatin te VEFA, publikohen nëpër faqet e para, madje ajo e fondeve tronditi politikën shqiptare gjatë fushatës elektorale për zgjedhjet politike të 1996.
Blendi Fevziu, bashkëpunëtor i Pietro dhe Gino Zannonit (i kishte ofruar zyrat për “agjencinë e shtypit”) kupton vonë strategjinë e “mashtruesve” që fabrikonin pa pushim lajme të rreme nga Ballkani. Por, edhe pa mbështetjen e tij logjistike në Tiranë, at e bir vazhdojnë të publikojnë lajme false, kështu arrijnë të prekin dhe vetë Papën me disa fjalë që Zannonët i vënë në gojë të Nënë Terezës dhe të imzot Frano Ilias.
I suksesshëm me këtë teknikë, Zannoni vendos të bëjë hapa të rëndësishëm në karrierë, duke goditur Italinë, këtë herë me emrin e një të përjavshmeje të rreme “Tirana News”. “Në tetor të 1995”, tregon Pietro, “realizova një mashtrim të mrekullueshëm: një hetim i interpolit mbi një trafik fëmijësh nga Shqipëria drejt Italisë”. Ky lajm doli dhe në faqen e parë të një prej gazetave më të mëdha shqiptare.
Në fund të tetorit të 1996 lajmet e një televizioni të fuqishëm italian hapen me vdekjen në ilegalitet të Ratko Mladiqit, i kërkuar nga gjykata e Hagës. Burimi ishte edhe këtë herë Pietro Zannoni.
“Artisti Zannoni” u ka shpërndar agjencive të lajmeve një deklaratë edhe për Nënën Tereze.
“Edhe Papa u prek nga ato fjalë, që në të vërtetë i shpikëm ne”, thotë Pietro.
Delli “krijue”s duket se kishte nisur të shteronte, por, papritur Zannoni rishfaqet, me Ibrahim Rugovën. Me këtë teknikë Zannoni arrin të publikojë “ekskluzivisht” në një përditshme në veri të Italisë shumë shkrime në emër të Rugovës, ku lideri shqiptar denoncon lidhjet mes luftëtarëve të UÇK-së dhe Osama bin Ladenit. Gjithçka e shpikur, madje dhe emri i “Stefano Silencit”, me të cilin Zannoni u prezantohet gazetarëve dhe drejtorëve të gazetave të ndryshme.
“Të kesh një emër arti bën pjesë në kodin deontologjik të teorisë zannoniane”, tenton të shpjegojë.
Nuk vlejnë përgënjeshtrimet e pafundme që vijnë nga Prishtina. Zannoni arrin të “depërtojë” edhe kontrollet e tri agjencive të famshme të shtypit botëror, njëra prej të cilave lajmëron tërheqjen e të gjorit Rugova nga jeta politike:.
“Për këtë mjaftoi një faks korrespondentëve në Romë”, betohet Zannoni.
Mashtrimi, më i fundit ishte gjoja një telefonatë mes Dinit dhe Milosheviqit, në të cilën (nga Haga) ish-presidenti serb njofton se do të hedh dritë mbi prapaskenat e “Telekomit”.
“Edhe mashtrimi i fundit ishte i artistit Gino Zannoni”, thotë i biri Pietro, që premton se që sot (ndoshta) nuk do të mashtrojë më. /Telegrafi/
Lista e gënjeshtra të botuara në Shqipëri dhe botë
* Misteret mbi vdekjen e Enver Hoxhës, janar 1990
* Gjallë refugjatët shqiptarë, 1991
* Skandali i fondeve greke PS shqiptare, 1992
* Trafik fëmijësh nga Shqipëria, 1995
* Gjendet të mbyturit në brigjet e Vlorës, nëntor 1995
* Skandali i financimeve serbe PS shqiptare, janar 1996
* Intervistë me Ratko Mladiq, mars 1996
* Vdes Ratko Mladiqi, nëntor 1996
* Apel i Nënë Terezës, Krishtlindje, 1996
* Apele kundër pedofilisë nga arkipeshkvi i Shkodrës, janar- korrik 1997
* Të fortët e Vlorës marrin peng Zannonin, 1997
* Artikuj të Rugovës në Itali, 2001
* Apeli i Rugovës kundër al-Qaedës, 2001
* Intervistë e Rugovës në Itali, 2001
* Intervistë e Milosheviqit nga burgu, 2002
* Deklarata të Miloshevicit për skandalin mes “Telekomi”t serb dhe Italisë, 2002