Pierluigi Collina paralajmëron se edhe me teknologjinë VAR, “do të vazhdojmë të kemi ndarje të mendimeve mes nesh gjersa gjyqtari kryesor duhet të marrë një vendim përfundimtar”.
Teknologjia e riprodhimit të videos, me dy zyrtarë në dhomën e shikimit dhe kalimin e informacionit që gjyqtari mund ta shikojë sërish, u shfrytëzua këtë sezon në Serie A dhe Bundesliga.
Ajo po përhapet në Spanjë dhe Francë, si dhe në Kupën e Botës 2018, ndërsa ka pasur thirrje që të përdoret edhe në Ligën e Kampionëve.
“Në futboll, interpretimi i gjyqtarit është shumë i rëndësishëm. Ka dhe do të vazhdojë të ketë mendime të kundërta edhe pas përfundimit të lojës ndërsa gjyqtari kryesor duhet të marrë një vendim përfundimtar gjatë ndeshjes”, tha kreu i gjyqtarëve të UEFA-s, Collina.
“Ka shumë sporte të tjera ku teknologjia, të tilla si riprodhimet e menjëhershme ose kamerat lart, janë zbatuar për shumë vite. Sidoqoftë, në këto sporte, përdoret thjesht për vendime objektive, jo për ato subjektive”.
VAR do të përdoret në Kupën e Botës në Rusi këtë verë dhe zyrtarët nga e gjithë bota po trajnohen në qendrën sportive Coverciano pranë Firences.
“Unë e kuptoj se është shumë tërheqëse për të folur për këtë risi, por mendoj se është më e rëndësishme të nënvizohet puna e mirë e bërë nga gjyqtarët për të siguruar që mos të kenë nevojë gjithmonë të konsultohen me VAR-in”, tha italiani.
Ndryshe, edhe presidenti i UEFA-s, Aleksandar Ceferin ka pohuar se edhe gjatë sezonit të ardhshëm nuk do të ketë VAR në Ligën e Kampionëve dhe Ligën e Evropës. /Telegrafi/