Telegrafi

Pi apo s’pi cigare, në Maqedoni e keni njëjtë (Video)

Problemi me ndotjen e ajrit në Maqedoni vazhdon të jetë aktual edhe gjatë këtij viti. Ditëve të fundit stacionet matëse kanë treguar prani të lartë të grimcave të dëmshme në disa qytete.

Shkupi ka qenë qyteti më i ndotur në vend, ndërsa ka zënë vendin e parë edhe në nivel evropian dhe botëror, njofton Telegrafi Maqedoni.

Fakulteti i Mjekësisë në Shkup ka bërë disa analiza të mes personave që pinë duhanin dhe të tillëve që nuk e pinë.

Profesoresha Beti Dejanova, për emisionin “360 shkallë” në Alsat, tha se eksperimentet rutinore të pështymës për të provuar intoksifikimin e personave, për herë të parë pas 30 viteve kanë treguar se nuk ka dallim mes duhanpirësve dhe jo duhanpirësve në Shkup.

Rezultatet kanë treguar se 90 për qind nga studentët e analizuar janë të prekur me cianide. Ata sekretojnë organizmin e njeriut dhe substancat toksike i kthejnë në jotoksike, të cilat në fund veprojnë tek mëlçia.

“Ne për dekada me radhë e punojmë këtë eksperiment dhe duam t’ju tregojmë studentëve se ekziston dallim mes duhanpirësve dhe jo duhanpirësve dhe bëjmë dallime tek studentët. Megjithatë, këtë vit kemi hasur në një paraqitje të pazakonshme, ku nuk mund të dallojmë se kush pi duhan, e kush jo”, tha Dejanova.

Ndryshe, qytetarët në Shkup ditëve të fundit kanë organizuar protesta para Kuvendit dhe Qeverisë, por të cilat nuk kanë marrë mbështetje të madhe. Ndërsa autoritetet thonë se po marrin masat e duhura dhe po luftojnë kundër ajrit të ndotur./Telegrafi/