Site icon Telegrafi

Phillips: Ka zëra se Thaçi e Vuçiq mund ta bëjnë publike marrëveshjen për shkëmbimin e territoreve, para takimit të Parisit

Profesori amerikan David Phillips, që është drejtor i Programit për Ndërtimin e Paqes dhe të Drejtave në Institutin e Studimit të të Drejtave të Njeriut të Universitetit Columbia në New York, vlerësoi se kur bëhet fjalë për idenë e shkëmbimit të territoreve mes Kosovës dhe Serbisë, qëndrimi i Shteteve të Bashkuara është më i paqartë krahasuar më pozicionin e Bashkimit Evropian.

Phillips, i cili është autor i shkrimit “Negociatat sekrete do të tradhtojnë Kosovën”, i publikuar pak ditë më parë në portalin BIRN për “Demostat”, të cilin e transmeton “Beta”, tha se disa në Këshillin e Sigurisë Kombëtare të SHBA mbështesin ndarjen e Kosovës, “por të tjerët, duke përfshirë edhe anëtarët e Kongresit, kundërshtojnë korrigjimin e kufijve”.

Në artikullin e publikuar nga BIRN, përcjell Telegrafi, ky profesor amerikanpotencon se presidenti serb dhe ai kosovar, Aleksandar Vuçiq dhe Hashim Thaçi, janë takuar prapa dyerve të mbyllura për të diskutuar marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

Në tekstin e profesorit amerikan thuhet se “ka zëra që Thaçi dhe Vuçiq janë duke planifikuar të bëjnë publike marrëveshjen për shkëmbimin e territorit, pak para takimit të tyre të ardhshëm, e cili do të mbahet në Paris, më 1 korrik”.

Duke iu referuar një bashkëbiseduesi të paidentifikuar nga Kosova, Philips thekson se “kushtet e marrëveshjes, janë: që Serbia të pajtohet me njohjen e Kosovës; Kosova të heq dorë nga Mitrovica veriore dhe tri komunat e tjera në veri; Kosova do të marrë midis katër deri në shtatë fshatra në luginën e Preshevës – këto fshatra mund të mos përbëjnë një territor unik; Liqeni i Ujmanit, thelbësor për furnizim me ujë dhe energji elektrike të Kosovës do të jetë një territor nën protektoratin ndërkombëtar nga një organizatë, si është për shembull NATO; Asociacioni i Komunave Serbe do të formohet edhe në pjesë të tjera të Kosovës ku jetojnë serbët dhe do të jetë përgjegjëse për zhvillimin urban dhe rural; Statusi i minierës së Trepçës mbetet i paqartë”, transmeton Telegrafi.

Phillips mbron qëndrimin se ideja e shkëmbimit të territoreve është e keqe, ndër të tjera, sepse ajo nuk nënkupton anëtarësim automatik të Kosovës në OKB, dhe pretendon se një plan i tillë nuk do të kishte marrë mbështetjen e Kuvendit të Serbisë.

“Serbia thjesht duhet ta njohë Kosovën brenda kufijve të saj ekzistues. Tarifat doganore do të hiqen dhe rruga e Serbisë drejt anëtarësimit në BE do të përshpejtohet, pasi ajo do të përmbushë kriteret në Kapitullin 35”, thotë ai. /Telegrafi/

Exit mobile version