Gjykata Kushtetuese e Kosovës, sot ka bërë të ditur se ka pezulluar deri më 30 mars të vitit 2020 zbatimin e Ligjit për Paga.
E lidhur me këtë vendim nuk janë shprehur të kënaqur Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës së Kosovës (SBASHK).
Nënkryetarja e SBASHK-ut, Vjollca Shala në një prononcim për Telegrafin, ka deklaruar se ky është një vendim mjaftë shokues për të gjithë punonjësit e sektorit privat.
Shala ka theksuar se SBASHK-u së shpejti do ta mbledh në një takim të jashtëzakonshëm Këshillin Drejtues dhe kryetarët e sindikatave komunale të arsimit.
“Është një vendim mjaft shokues. Siç e dimë nesër do të kemi grevë dy orësh në të gjitha institucionet arsimore duke filluar nga çerdhet e deri tek universitet. Lidhur me vendimin e Gjykatës Kushtetuese së shpejti do të mbajmë një takim të jashtëzakonshëm me kryetarët e sindikatave komunale të arsimit dhe Këshillin Drejtues”, ka thënë Shala.
Ajo ka shtuar se nesër do ta shikojnë për së afërmi mbarëvajtjen e grevës, dhe pastaj do të bisedojnë edhe me mësimdhënësit që të shohin se si do të veprojnë tutje.
“Nuk kemi akoma ndonjë datë se kur do ta mbajmë takimin e jashtëzakonshëm, mirëpo mund të them se çfarëdo që do të vendoset në këtë takim ne do ta zbatojmë”, tha Shala.
Kujtojmë se deputetët e legjislaturës së fundit të Kuvendit të Kosovës me 62 vota për, asnjë kundër dhe 1 abstenim, në muajin shkurt të këtij viti, kishin miratuar Ligjin për Pagat në sektorin publik.
Ligji pritet të rregullojë pagesën e të punësuarve që marrin rroga nga buxheti i shtetit, ku koeficienti më i lartë është 10 dhe më i ulëti është 1 dhe vlera monetare e koeficientit për vitin e parë do të jetë 239 euro. /Telegrafi/