Telegrafi

Petrovska: Maqedonia është gati ta ketë gruan e parë gjenerale

Absolutisht besoj se e kemi potencialin për të pasur gruan e parë gjenerale dhe jam e gatshme ta mbështes një zgjidhje të tillë, deklaroi ministrja e Mbrojtjes, Sllavjanka Petrovska.

Petrovska sot në një paraqitje televizive në emisionin “Brifingu i mëngjesit”, e pyetur se kur Maqedonia e Veriut do të ketë një femër për gjeneral, tha se ushtria ka kandidate cilësore.

“Nga përvoja ime disamujore dhe bashkëpunimi i drejtpërdrejtë dhe puna me stafin si në Ministri ashtu edhe në ushtri, sepse kandidatja duhet të jetë ushtarake, absolutisht mendoj se po – ne kemi një potencial të tillë dhe mendoj se është diçka që duhet të valorizohet, jo sepse ajo është grua, po sepse ka vërtetë cilësi“, deklaroi ministrja.

Ajo shtoi se Ministria e Mbrojtjes dhe Ushtria aktualisht janë duke zbatuar projekte në bashkëpunim me Zyrën e Kombeve të Bashkuara dhe Qendrën e Gjenevës për Menaxhimin e Sektorit të Sigurisë (DCAF), të cilat trajtojnë çështje të ndjeshme gjinore. “Ata janë shumë të suksesshëm dhe sigurisht që gjithmonë do ta kenë mbështetjen time politike për këtë”, shtoi Petrovska.