Telegrafi

Petkovic: Në fillim e diktuam tempin e lojës, më pas i lejuam të na sulmonin

Trajneri i kombëtares së Zvicrës, Vladimir Petkovic, pas fitores kundër Shqipërisë ka thënë se skuadra e tij kontrolloi emocionet e kësaj ndeshjeje më mirë se kundërshtari.

Ai gjithashtu vlerësoi se në 20 minutat e para, ekipi i tij ishte shumë më e mirë duke e diktuar edhe tempin e lojës, por më pas Kuqezinjtë janë këndellur përkundër që ishin me një lojtar më pak në fushë, transmeton Koha.net.

Kjo ishte një ndeshje shumë emocionale pasi në radhët e Zvicrës u paraqitën pesë shqiptarë në formacionin bazë, kurse solli edhe përballjen ndërmjet vëllezërve Xhaka, Taulantit dhe Granitit.

“Ne kontrolluam më mirë emocionet e kësaj ndeshjeje. E përdorëm energjinë e nervozes në mënyrë shumë pozitive”.

“Mendoj se luajtëm më mirë në 20 minutat e para sesa në vazhdim të takimit. Në fillim e diktuam tempin e lojës, më pas lejuam që ata të vinin te ne”.

“Madje edhe kur Shqipëria mbeti me një lojtar më pak në fushë, ne lëshuam shumë mundësi të mira shënimi”, ka thënë Petkovic për Uefa.com.