Site icon Telegrafi

Peticioni për largimin e kryetarëve, Krasniqi: Një muaj kohë për Udhëzimin administrativ

Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi deklaroi sot se grupi punues ka një muaj kohë për të hartuar udhëzimin administrativ, për nisjen e peticionit të qytetarëve për largimin e kryetarëve nga komunat.

Sipas tij, ky udhëzim administrativ nuk është për veriun e Kosovës dhe se nuk është i përpiluar në atë formë për largimin e kryetarëve nga zyrat. Kështu u shpreh ai pas vizitës në dy salla sportive ne Lipjan.

Ai tha se Ligji për Vetëqeverisje Lokale ka shumë mangësi dhe hapësirë të korrigjohet, por për plotësim-ndryshim nevojiten edhe 2/3 e votave të komuniteteve. Sipas tij, së fundmi kanë filluar udhëzimin administrativ mbi procedurat se si organizohet një peticion në komuna, ku ka kërkesë nga qytetarët për largim nga komunat.

Krasniqi shtoi se grupi punues ka kohë një muaj për draftimin e udhëzimit administrativ, ku qytetarët do të kenë mundësi hartimin e peticionit.

“Kemi formuar një grup punues profesional nga akterët e përfshirë në qeverisjen lokale edhe të shohim se cila do të jetë puna e tyre…Grupi punues ka afat një muaj që ta bëjë draftin e këtij udhëzimi administrativ, faktikisht të përfundojë edhe konsultimet publike dhe mandej të jetë nga 1 shtatori si udhëzim administrativ, në të cilën mund të referohen qytetarët, të cilët kanë për qëllim organizimin e peticioneve apo largimin e kryetarëve.

Mirëpo, çka është shumë e rëndësishme të përmendet, ky nuk është një udhëzim administrativ për veriun e Kosovës, është një udhëzim administrativ, i cili buron prej Ligjit për Vetëqeverisje Lokale dhe një gjë të tillë nesër qytetarët edhe të komunës së Lipjanit mund ta shfrytëzojnë për pakënaqësinë e tyre në raport me kryetarin e komunës dhe largimin e kryetarit të komunës përmes një peticioni”, deklaroi ai.

Më tej, ministri u shpreh se udhëzimi administrativ e përcakton rregullin se si organizohet peticioni.

“Udhëzimi administrativ përcakton rregullin se si organizohet peticioni, se si një peticion i iniciuar nga qytetarët është i pranueshëm. Mirëpo, përpilimi i peticionit nuk është largimi i kryetarëve nga zyrat, për shkak se pas kësaj ka edhe procedura tjera…

Ne kemi kryetarë të komunave në zyre, kjo është me rëndësi…peticioni është shprehje e vullnetit të 20 për qind të trupës votuese të një komune. Nëse në një komunë të caktuar qytetarët e asaj komune arrijnë të kenë 20 për qind të trupës votuese me kërkesën që të largohet kryetari i komunës, atëherë do të trajtohet si kërkesë. Nëse nuk do të ketë, atëherë kjo do të mbetet aty dhe kryetarët vazhdojnë të punojnë”, tha ai.

Sa i përket largimit të kryetarëve të komunave, Krasniqi shtoi se të njëjtit kanë fituar mandat dhe dorëheqja e tyre është kërkesë e Serbisë.

“Unë nuk mund të flas për Listën Serbe, por çfarë mund të them për situatën aktuale është që çka do që ata veprojnë dhe mendojnë, asnjëherë nuk është për të mirën e Republikës së Kosovës. Ne kemi zgjedhje legale të organizuar në veriun e Kosovës, bazuar në kushtetutën dhe ligjet aplikative.

Ne e dimë që këto zgjedhje kanë prodhuar kryetarët komune me mbështetje të vogël të qytetarëve, por prapë se prapë këta janë kryetarë të komunave, të cilët burojnë nga vota e lirë. Pengesa që të marrin pjesë qytetarët e veriut të Kosovës në zgjedhje është nga Serbia. Dhe kjo Serbi dhe këto institucionet e saj që i ka në dispozicion për të penguar zhvillimin demokratik të Kosovës, do të vazhdojnë gjithmonë.

Për ata na duhet të fokusohemi në punën tonë, në demokracinë e shtetit tonë dhe forcimin e shtetit tonë. Udhëzimi administrativ do të parasheh disa procedura, mirëpo udhëzimi administrativ nuk është një diçka që definon secilin pozicion përtej asaj që është kompetencë e vetëqeverisjes lokale”, u shpreh ai.

Kryetari i Lipjanit, Imri Ahmeti tha se duhet të krijohet një zgjidhje në veri të Kosovës, e cila sipas tij, është çështje politike e jo ligjore.

“Nuk besoj që ky mekanizmi i peticionit është mjet adekuat për të zgjidhur problemet politike. Për shkak se kjo mund të riciklohet pas tre muajve të mbahen zgjedhjet, pas tre muajve prapë peticion tjetër. Derisa nuk ka një peticion, i cili do të provon me i zgjidh këto situata është vështirë për të komentuar…Ne nuk kemi parë një udhëzim administrativ, i cili do të ketë parasysh për të qenë në kuadër të rregullativës ligjore shtetërore. Çështja e veriut është çështje politike, nuk është çështje e legjislacioneve”, deklaroi ai.

Exit mobile version