Site icon Telegrafi

Pestova vendi i patates

Në Pestovë të Vushtrrisë u shënua sot dita e patates, e cila tash e sa vite është shndërruar në një festë tradicionale dhe shënohet me rastin e vjeljes së patates dhe kulturave tjera. Për nderë të kësaj dite u organizua një manifestim nga Ministria e Bujqësisë, Komuna e Vushtrrisë të mbështetur nga Kompania “Pestova“.

Vetëm në Komunën e Vushtrrisë për këtë vit kanë qenë të mbjella rreth 1500 hektarë tokë me patate nga 5000 mijë hektarë sa kanë qenë gjithsej në tërë Kosovën.

Ministri i Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Memli Krasniqi, tha se patatja paraqet një ndër kulturat më të rëndësishme bujqësore për vet faktin se është ndër të vetmet me të cilat Kosova i përmbush nevojat e konsumit në tregun tonë dhe që është arritur të eksportohet jashtë vendit.

Për këtë arsye, Krasniqi tha se sektori ku bënë pjesë patatja mbetet sektori prioritet i Ministrisë që udhëheq. “Tek sektori i perimeve në prodhimtarinë primare, por edhe në masën e përpunimit, ne vetëm këtë vit kemi ndarë mbi 6 milion euro dhe po ashtu tek pjesa e subvencioneve kemi ndarë edhe 1 milion e gjysmë që në total vetëm për sektorin e perimeve, Ministria e Bujqësisë ka ndarë mbi 7 milion e gjysmë euro… Sektori i perimeve ku bënë pjesë edhe patatja do të mbetet në sektorin prioritar dhe ndër objektivat më të rëndësishme të Ministrisë së Bujqësisë edhe për vite në vijim, dhe mbështetja për këtë sektor dhe për fermerët vetëm sa do të rritet në vitet në vijim”, tha Krasniqi.

Kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Bajram Mulaku tha se dita e patates është një festë dhe një ditë krenarie për të gjithë fermerët e patates por edhe të prodhimeve tjera të komunës së tij.

Ai shtoi se vetëm për këtë vit ka më shumë se 30 tonë patate të prodhuara. “Në Komunën e Vushtrrisë janë rreth 7 mijë hektar tokë në mundësi të sistemit të ujitjes dhe në këto hapësira janë kushtet optimale për kultivimin e patates, ndërsa në këtë vit kanë qenë të mbjella rreth 1 mijë e 500 hektarë patate. Ndërsa fermerët tanë janë modest dhe thonë se diku rreth 30 tonë patate ka prodhim në këtë vit, por unë e di që ka edhe shumë më tepër, dhe është fakti se unë e di që në këtë vit cilësia e patates në këtë vit është shumë më e mirë se viteve të tjera”, tha Mulaku.

Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi, tha se përveç sportit Kosova dhe Shqipëria kanë nevojë më shumë për fitore në ekonomi. “Kemi nevojë për fitore në ekonomi, kemi nevojë për rritjen e mirëqenies, kemi nevojë për rritjen e gjithë dëmit të bashkëpunimit ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës dhe kjo do të ishte një fitore shumë më e madhe se sa ajo sportive. Ne duhet të fitojmë çdo ditë në terren për të pasur një bashkëpunim sa më të frytshëm. Dhe sot nuk kemi të bëjmë me një luftë të patates midis Shqipërisë dhe Kosovës, por me një bashkëpunim konkret dhe real që po sjellë një rritje të dy anshme, në të dyja anët e kufirit”, tha Minxhozi.

Pronari i Kompanisë “Pestova”, Bedri Kosumi, i cili foli për suksesin e fermerëve dhe të patates në përgjithësi, duke thënë se në këtë vit kualiteti i patates është shumë më i mirë se i viteve të kaluara. /Telegrafi/

Exit mobile version