Përpara se të futej në sallën e Kuvendit Monika Kryemadhi u ndal për një deklaratë të shkurtër për gazetarë, ku u kërkoi atyre që të merren seriozisht me kryeministrin Rama, pasi siç tha ajo është peshku i madh në telefonin e saj.
“Merreni seriozisht edhe Ramën. A ka deklaruar kurimin e djalit të vet në Amerikë? Kush ia ka paguar dhe sa kushtuar? Merreni seriozisht. Peshku i madh është Edi Rama në telefonin tim. E kam telefonin l cloud”, u shpreh Kryemadhi.
Deputetja e PL-së iu përgjigj edhe Sali Berishës, që e akuzoi se i kishte dorëzuar 460 mijë euro Edi Ramës. Sipas saj, Berishën e kanë ngatërruar, ndërsa akuzoi ish-ambasadoren e BE-së se kishte para para nga Rama për të blerë deputetë e opozitës.
“Mos e ka fjalën për buxhetin që Romana Vlahutin kishte marrë nga Rama për të blerë deputetët e opozitës për të votuar reformën në drejtësi”.
Tri ditë më parë Sali Berisha i bëri thirrje Monika Kryemadhi që të sqarojë një shumë parash që i ka dorëzuar Edi Ramës.
“I bëj thirrje zonjës Kryemadhi, e cila deklaroi se Edi Rama ka urdhëruar Dumanin të fshijë të gjithë komunikimet e saj me Edi Ramën, t’ju bëjë të ditur shqiptarëve, të informojë shqiptarët për “peshkun e madh”, të informojë shqiptarët me ç’rast i dorëzove Edi Ramës 460 mijë euro. Të informojë shqiptarët gjithçka di për këtë kryehajdut të të gjitha kohërave”. (A2 Televizion)