Një dron që fluturonte mbi oqean ka kapur momentin e shpirtit luftarak të një breshke, që refuzoi të jetë “dreka” e peshkaqenëve.
Breshka për një “fije floku” i shpëtoi dhëmbëve të mprehtë të peshkaqenit të llojit tigër në pjesën perëndimore të Australisë – përkatësisht në rajonin Pilbara, transmeton Telegrafi.
Pamjet e publikuara më poshtë shfaqin peshkaqenin që sillet nëpër ujë dhe tenton të kapë breshkën – por që dështoi kur dhëmbët nuk arritën t’ia thyejnë “mburojën”.
Në një moment peshkaqeni për pak sa nuk e kafshon, por breshka arrin t’i shpëtojë më të keqes.
Dylan DeHaas kapi momentin rrëqethës pasi udhëtoi 1.122 kilometra nga gjiri i Perth. Ai kishte vërejtur diçka në ujë dhe fillimisht kishte menduar se bëhet fjalë për një tufë delfinësh duke luajtur në ujë.
“Ky peshkaqen i madh po tentonte ta kafshonte breshkën, që është ushqimi i tyre i preferuar”, tha DeHaas.
Megjithatë breshkat janë mësuar me këto sulme dhe e përdorin “mburojën” për t’u mbrojtur nga këto sulme të peshkaqenëve. /Telegrafi/