Pritjes së gjatë prej pesë viteve i ka ardhur fundi për tifozët e Real Madridit.
‘Los Blancos’ kanë arritur të fitojnë titullin e 33-të në histori të klubit, pasi për herë të fundit këtë trofe e kishin fituar pesë vite më parë në stinorin 2011/12.
Kampionët e Spanjës në ndeshjen e fundit në kampionat triumfuan si mysafir te Malaga me rezultat 0-2.
Ndeshja filloi më mirë për kampionët e Spanjës të cilët filluan të sulmonin me të gjitha forcat.
Ishte minuta e dytë kur mesfushori spanjoll, Isco asistoi për mrekulli tek Cristiano Ronaldo.
Portugezi e kaloi bukur portierin vendas dhe shënoi pa problem për 0-1 duke sjellë një gëzim të madh tek madrilenët.
Malaga kishte rast të mirë për ta barazuar rezultatin nëpërmjet Sandro Ramirez por nuk ia doli.
Pjesa e parë përfundoi me epërsinë minimale të mysafirëve 0-1.
Me të filluar pjesa e dytë, Real Madridi arriti të shënoi edhe golin e qetësisë.
Ishte sulmuesi francez Karim Benzema që shënoi për 0-2 nga afërsia.
Deri në fund të ndeshjes, të dyja skuadrat kishin raste tjera të mira shënimi por rezultati mbeti i pandryshuar.
Real Madrid e përfundoi kampionatin me 93 pikë të tubuara pas 38 ndeshjeve.
‘Los Blancos’, kanë shënuar 106 gola ndërsa kanë pranuar 41, duke qenë sulmi i dytë më i mirë në kampionat dhe mbrojtja e katërt më e mirë.
Ky titull ishte i 33-ti në histori të Real Madridit, ndërsa të parin e kishte fituar në vitin e largët 1931/32. /Telegrafi/
https://www.youtube.com/watch?v=p83T38EugUs
https://www.youtube.com/watch?v=mfmgzjAhrv8