Emanuel Bajra, ekspert i çështjeve ekonomike në një intervistë të dhënë për emisionin “Përballje” me kryeredaktorin Muhamet Hajrullahu në Telegrafi.com ka theksuar se çështjet ekonomike në Kosovë janë të ndërlidhura edhe me zhvillimet politike.
Bajra identifikoi disa rreziqe kryesore për ekonominë kosovare, duke deklaruar se situata me Serbinë është një nga sfidat më të mëdha.
“Jemi shtet i pavarur, kemi shumë sfida sikurse çdo vend tjetër në rajon, nuk jemi specifik, por jemi specifik në një fushë që akoma jemi në gjendje lufte me fqinjin tonë verior. Ky është risku kryesor”, tha ai.
Eksperti shprehu shqetësim për një ndjenjë neglizhence në qeverisje lidhur me këto çështje, duke e përmendur nevojën për vetëdijesim mbi rreziqet që paraqiten.
Në emision ai ka folur edhe për marrëveshjet tregtare si CEFTA dhe EFTA.
Ai gjithashtu ngriti shqetësime për hapjen e kufijve dhe efektet që kjo ka mbi konsumatorët, duke kërkuar që qeveria të merret më seriozisht me problemet ekonomike dhe inflacionin.
“Si është e mundur që Kosova t’i hapë kufijtë? Dhe të lejojë çfarëdolloj importi të futet në vend”.
“E, tash detyrë e Qeverisë është që konsumatori të mos ketë vështirësi ekonomike, inflacioni gjithsesi, inflacioni gjeopolitike, lufta në krahinë, këto të gjitha janë pjesë të rreziqeve”, potencoi ai.
Për Bajrën, detyra e qeverisë është që të sigurojë stabilitet ekonomik dhe të mbrojë interesat e qytetarëve.
Eksperti i ekonomisë tha se ideja është të adresohet problemi i pabarazisë në Kosovë, i cili vazhdon të jetë një sfidë e rëndësishme për zhvillimin ekonomik dhe social të vendit.
Sa i përket sfidave që përballet ekonomia globale, Bajra tha se që nga viti 2007 dhe 2008 ka ndodhur kriza më e madhe financiare në botë.
“Faktikisht patëm kolaps të krejt sistemit të parasë në botës së bankave, edhe aty u humb një masë shumë e madhe parasë”, tha ai duke shtuar se që nga ajo kohe ne jemi të lënduar si ekonomi globale, e në veçanti ekonomia perëndimore.
Në intervistë, eksperti u shpreh se është e pashmangshme me i nda gjeopolitikën dhe ekonominë, duke përmendur si sfida edhe lëvizjet demografike, emigracionin, dyndjet e kulturave e të tjera sfida. /Telegrafi/