Pesë draft-rezoluta nga grupet e ndryshme parlamentare mbi ngjarjen e rëndë të Banjskës janë paraqitur për votim në seacën e 19 Tetorit në Parlamentin Europian.
Rezolutat e eurodeputetëve të grupeve parlamentare dënojnë ashpër ngjarjen e rëndë të ndodhur më 24 shtator ku mbeti i vrarë polici Afrim Bunjaku, ndërsa kërkojnë që autorët të vihen përpara përgjegjësisë.
Më e ashpër është rezoluta e paraqitura nga dy eurodeputetët e grupit socialdemokrat Tonino Pikula dhe Pedro Markes.
Ky grup kërkon që të theksohet se përgjegjëse për këtë ngjarje është Serbia.
“Parlamenti i bën thirrje BE-së që të veprojë si ndërmjetës i ndershëm në procesin e normalizimit dhe të ndryshojë urgjentisht politikën e saj zbutëse ndaj Serbisë. Shpreh keqardhje për masat negative që Këshilli ka marrë kundër Kosovës dhe bën thirrje që ato të hiqen menjëherë; thekson rëndësinë e mbajtjes së Serbisë përgjegjëse për rolin e saj në sulmin e 24 Shtatorit 2023 dhe nevojën për të vendosur masa negative kundër Serbisë”.
Ndërsa rezoluta tjetër e grupit më të madh parlamentar të Partive Popullore Europiane përpos dënimit të sulmit terrorist kërkon dënimin e Serbisë, por vetëm nëse vërtetohet se janë pas ngjarjes në Banjskë.
“I bën thirrje BE-së që të vendosë masa kufizuese ndaj udhëheqjes serbe, nëse konfirmohet përfshirja e saj në sulmin në Banjska ose ndonjë veprim apo qëndrim i dënuar i lartpërmendur”.
Në bllok të pesë grupet e eurodeputetëve kërkojnë nisjen e urgjente të dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit, zbatimin e Marrëveshjes së OHRIT, zgjedhje të reja në 4 komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës.