Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike, ka njoftuar se sot janë konfirmuar edhe 27 raste të reja me coronavirus, ku pesë prej tyre janë nga Komuna e Podujevës.
Nënkryetari i Komunës së Podujevës, Nexhmi Rudari, ka thënë se katër raste janë nga një familje e fshatit Dobërdol, ndërsa me virus ka rezultuar edhe një qytetar i cili para dy ditësh ishte kthyer nga Austria, transmeton Telegrafi.
“Nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike sonte janë konfirmuar pesë raste të reja me COVID-19 në komunën tonë. Katër raste janë nga një familje e fshatit Dobërdol dhe burimi i infeksionit është kontakti me një person nga Komuna e Prishtinës, kurse rasti i pestë është një qytetar i Podujevës, i cili dy ditë më parë ka ardhur nga Austria”, ka pohuar ai.
Rudari ka thënë se “të gjithë pacientët janë me gjendje shëndetësore stabile, ndërsa konform situatës së krijuar Shtabi Emergjent lokal do të ndërmarr veprimet e nevojshme”.
“Këto raste vijnë pas gati një muaj e gjysmë, që nuk kishim asnjë rast me këtë virus dhe kur tetë persona të infektuar u shëruan. Pavarësisht se nga sot kemi hyrë në fazën e tretë të lehtësimit të masave, rastet e sotme tregojnë se virusi COVID-19, vazhdon të jetë i pranishëm”, ka shkruar ai në Facebook.
Ndryshe që nga 13 marsi e deri tani në Kosovë janë konfirmuar 1.110 raste pozitive me coronavirus./Telegrafi/