Në historinë e tyre të kohëve të fundit, ata kanë udhëtuar 310 herë dhe kanë vizituar 94 vende në 6 kontinente, e barabartë me 85 për qind të popullsisë botërore.
Ata e kanë mbushur Shtëpinë e Bardhë me kartolina e suvenirë nga e gjithë bota… dhe udhëtojnë me avionët më të mirë që mund të ekzistojnë. Po flasim natyrisht për presidentët e Shteteve të Bashkuara…Me rastin e zgjedhjeve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, lastminute.com ka bërë një klasifikim të 5 presidentëve amerikanë që kanë udhëtuar më shumë gjatë mandatit të tyre.
5 Presidentët…
Udhëtimet jashtë vendit janë një zakon relativisht i ri për presidentët e SHBA-së. Deri në shekullin XX, në fakt, amerikanët nuk e pëlqenin shumë idenë që presidenti i tyre të udhëtonte jashtë vendit.
Gjërat ndryshuan në vitin 1906, kur Theodore Roosevelt vendosi të ndërmarrë, për herë të parë, një udhëtim jashtë vendit për në Panama. Pas asaj vizite të parë zyrtare, amerikanët nisën të kuptojnë se sa e rëndësishme është për presidentin dhe për vendin të bëjë vizita zyrtare jashtë SHBA. Pas atij momenti, presidentët amerikanë kanë ndërmarrë shumë udhëtime. Më poshtë janë 5 presidentët amerikanë që kanë përshkuar më shumë milje gjatë mandatit të tyre në Shtëpinë e Bardhë…
Bill Clinton
Gjatë tetë viteve në Shtëpinë e Bardhë (1993-2001), Clinton ka realizuar 54 udhëtime jashtë SHBA, duke vizituar 70 vende. Europa është kontinenti që ka vizituar më shumë (24 vizita) e ndjekur nga Azia (17 vizita), Afrika e Australia (2 vizita).
Barack Obama
Presidenti në detyrë, edhe për pak muaj, nuk është ndër ata që ka udhëtuar më shumë, por ka thyer të gjithë rekordet në vitin e parë të mandatit të tij. Në vitin 2009, Obama ka bërë 10 udhëtime dhe ka vizituar 21 vende, duke qenë në një total prej 37 ditësh jashtë Shteteve të Bashkuara. Gjatë mandatit, Obama ka bërë 51 udhëtime jashtë SHBA dhe ka vizituar 56 vende. Shteti europian që ka vizituar më shumë është Franca (6 herë).
George W. Bush (I biri)
Në dy mandatet e tij, Bush ka bërë 48 udhëtime jashtë SHBA dhe ka vizituar 72 vende të ndryshme në 6 kontinente. Udhëtimi më i veçantë është ai i vitit 2003, kur në sekret të plotë, vizitoi trupat amerikane në Irak në Ditën e Falënderimeve. I ati, George H. Bush, kishte bërë një udhëtim të ngjashëm në vitin 1990, por në Arabinë Saudite, ku ishin angazhuar trupat amerikane. Bush është presidenti i tretë i Shteteve të Bashkuara, i cili ka bërë një udhëtim zyrtar rreth botës pas Johnson e Nixon. Kjo ndodhi në vitin 2006 – kur vizitoi Rusinë, Singaporin, Vietnamin e Indonezinë.
George H. Bush
George Bush (I ati)- është rasti të thuhet “bëmë baba të të ngjaj”. Të dy Bushët kanë udhëtuar shumë dhe i ati zë vendin e katërt në këtë klasifikim. Në katër vitet e mandatit të tij, George H. Bush ka udhëtuar 26 herë jashtë vendit dhe ka vizituar 40 vende. Kontinenti më i vizituar është Europa (11 herë), e ndjekur nga Azia dhe Amerika e Jugut. Edhe pse nuk është presidenti që ka përshkuar më shumë milje, është padyshim një nga ata që pëlqen ta shohë tokën nga qielli.
Në vitin 1999, Bush e festoi 75-vjetorin e ditëlindjes së tij duke u hedhur me parashutë. Të njëjtën gjë bëri edhe pesë vjet më vonë, në ditëlindjet e tij të 80. Bush festoi në të njëjtën mënyrë 85-vjetorin dhe 90-vjetorin e tij!
Ronald Reagan
Presidenti Ronald Reagan renditet në vend të pestë. Në tetë vite në krye të Shtëpisë së Bardhë ka bërë 25 udhëtime jashtë vendit dhe ka vizituar në total 26 vende. Ronald Reagan ndryshoi rrënjësisht mënyrën e udhëtimit për presidentët e ardhshëm. Në vitin 1987 kërkoi të zëvendësonin avionin e vjetër Boeing VC-137; kështu lindi Boeing VC-25. Por Avioni i ri u përurua zyrtarisht vetëm në vitin 1990, në mandatin e George H. W. Bush, transmeton monitor.
Që prej atëherë, presidentët e SHBA udhëtojnë me një avion Air Force One, 372 metra katrorë, me dhoma me dush, sallë mbledhjesh, aparatura komunikimi e karburant të palimituar. Ndër të tjera, pranë avionit presidencial udhëton dhe një avion më i madh që transporton helikopterët zyrtarë dhe një limuzinë. Të gjithë lehtësitë për të qeverisur një vend nga qielli, madje mund të mos zbresë kurrë në tokë!